Tifozët anglezë të mahnitur me mbështetjen e kosovarëve në ndeshjen e mbrëmshme (Video)

Përderisa tifozët anglezë që ishin në shtëpi e shprehën habinë e tyre nga loja sulmuese e Kosovës në ndeshjen kundër Anglisë, ata që ishin në stadiumin u mahnitën nga tifozët e Kosovës në tribuna.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5-3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë.

Përkundër që Kosova po pësonte disfatë 5-1 në fund të pjesës së parë, “Dardanët” nuk u ndalën asnjëherë duke festuar dhe duke e shfaqur mbështetjen e tyre për ekipin kombëtar. Kjo gjë i habiti tifozët e Anglisë.

“Duhet të them se tifozët e Kosovës ishin të mrekullueshëm. Shumë të zhurmshëm gjatë gjithë ndeshjes saqë mendojë se ata fituan kur përfundoi loja. Nuk do të kemi tifozë mysafirë në St. Mary’s për një kohë të gjatë pas kësaj”, shkroi Rob Price.

“Pak fjalë për tifozët e Kosovës – ndër mbështetësit më të mirë, nëse jo më të mirët, që i kam parë në një ndeshje futbolli. Të mrekullueshëm”, shkroi Dan Burnham.

“Nuk them shpeshherë gjëra për kundërshtarët, por mes guximit të qartë, Kosova e bëri veten krenare sonte. Këta tifozë ishin të shkëlqyeshëm për 90 minuta (tifozët më të mirë mysafirë që i kam parë ndonjëherë) dhe ishim dëshmitarë të një ndeshjeje të çmendur futbolli”, shkroi Harry Waldron.

loading…