“Thjesht mbajeni rezervë” – Tifozët e Juventusit të mllefosur me huqjen e Ronaldos

Cristiano Ronaldo ka dështuar të shënojë gol në tri ndeshjet e fundit në Serie A dhe tifozët e Juventusit janë tërbuar me të, pasi sulmuesi portugez nuk mundi të shënojë në portën boshe kundër Fiorentinës.

Ronaldo e shënoi golin e fundit në Serie A më 7 prill kundër Napolit. Ai dështoi të shënojë pastaj në tri ndeshjet pasuese dhe mungoi në një ndeshje tjetër si pasojë e lëndimit.

36-vjeçari i zemëroi tifozët e Juventusit pasi nuk ia doli ta fusë topin në portën e boshatisur në barazimin e bardhezinjve 1:1 kundër Fiorentinës të dielën.

Tashtagu #Ronaldo është bërë trend në Itali këtë mbrëmje, me 44 mijë postime për të.

Juventusi është në vendin e katërt në tabelë në Serie A, tri pikë më shumë se Napoli, por ky i fundit e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë i Juventusit këtë sezon me 32 gola në 39 ndeshje në të gjitha garat, por shumica e tifozëve të klubit torineze janë të mllefosur me formën e tij në ndeshjet e fundit.