Kapiteni i PSG-së

Thiago Silva kërkon nga PSG-ja të ndryshojë mentalitetin

Kapiteni i Paris Saint Germainit, Thiago Silva mendon se përmirësimi prej ndeshjes me Napolin në shtëpi ka qenë vendimtar sa i përket kalimit të grupit në Champions League, por mbrojtësi brazilian beson si i kanë ndërlikuar punët vetes.

PSG-ja e përmbylli grupin C si lider me 11 pikë, ndërsa Silva ishte frikësuar se për një moment gjasat e tyre për të kaluar tutje ishin shuar.

“Synimi është arritur. Kam qenë paksa i frikësuar këtë edicion që nuk do të ishim pjesë e 16 skuadrave më të mira. Por në vështirësi ka edhe gjëra pozitive. Jam i lumtur me paraqitjet e fundit që i kemi bërë, mendoj se kemi pasur pëmirësim nga ana psikologjike prej ndeshjes me Napolin. Barazimi ndaj tyre ishte për shkak të gabimit tim dhe mendova se bashkëlojtarët kanë nevojë për një shtysë. Nëse do të barazonim me Liverpoolin praktikisht do të ishim të eliminuar, por arritëm të fitojmë kundër një skuadre që mund të jetë finaliste edhe këtë sezon”, deklaroi Silva.

34 vjeçari shtoi se Paris Saint Germaini nuk ndjeu presion ndaj Crvena Zvezdës dhe atmosferës të krijuar në Beograd, ndërsa ish anëtari i Milanit shpreson që liderët e Ligue 1 të vazhdojnë të luajnë si një skuadër.