Therën për vdekje 41-vjeçarin në Fushë Kosovë, arrestohen të dyshuarit

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy të dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit në Fushë Kosovë.

Të arrestuarit janë A.M, 26 vjeçar dhe L.B, 26 vjeçar.

Policia bëri të ditur se të dy janë ndaluar për 48 orë dhe se është sekuestruar një thikë.

“Sot (13.02.2023) rreth orës 01.:30, nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale vrasje, që ka ndodhë me datën 12.02.2023, në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë. Puna operative e hetimore që kanë ndërmarrë hetuesit, ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar: – A.M,mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe  – L.B, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. si dhe sekuestuarimin e një arme të ftohtë (thikë),që dyshohet të jenë përdorë në rast. Pas intervistimit, personat e arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

41-vjeçari u ther dje me thikë në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë. Informatën për këtë rast, Policia e ka pranuar rreth orës 22:00.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e policisë dhe viktima është dërguar në QKUK, mirëpo nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Për vdekjen e 41-vjeçarit ka njoftuar edhe familja.

“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftojmë që sot ndërroi jetë më i dashuri ynë vellau Arsim Sejdi Hamiti”.

Lajmi dje është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

”Rreth orës 22:00 policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga një mjet i mprehtë, lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, mashkull, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar në ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje“, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.