Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ashpër ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Mulhaxha Kollçaku, e cila citoi një analist anonim serb për ta mbrojtur kryetarin e saj, Albin Kurti.

Mulhaxha-Kollçaku në një paragraf të postimit në Facebook përmend një fjali që lë të kuptohet sikur UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale. “…nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”, ka shkruar ajo, duke e cituar analistin serb, i cili i referohet kështu UÇK-së, raporton Ballkani.info.

“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj.  Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo. Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së””, ka shkruar Thaçi.

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova”, ka shkruar tutje presidenti.

Sipas tij, UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet.

“Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë. Po e përsëris: Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj. Kjo vetëm sa më bën më të fortë mua dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së. Ne jemi me fat që kemi bindur aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n, që të na dalë në ndihmë dhe së bashku ta çlirojmë vendin tonë. Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar në fund presidenti Thaçi.

Lexoni edhe:

https://ballkani.info/2020/02/deputetja-e-vv-se-duke-u-munduar-te-mbroje-kurtin-e-poston-deklaraten-e-analistit-serb-ku-uck-se-i-referohet-kriminale-foto/