Që prej ardhjes së tij në pushtet, kryefjali e fjalimeve të Hotit në konferenca e vende të tjera, kishin qenë lavdet se qeveria e udhëhequr nga ai ka rregulluar “raportet e lënduara” me aleatët, SHBA-të e BE-në. Kjo madje ishte shndërruar në një pikë që Hoti e konsideronte të fortë dhe fakt të pakontestueshëm. Sidoqoftë, ditëve të fundit Hoti pati kritika të ashpra nga këto shtete aleate. Madje ato vunë në pikëpyetje edhe vullnetin që ka qeveria për luftimin e akteve korruptive.

Shuarja e Taskë Forcës anti-korrupsion nga qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka nxitur kundërshtitë e para që shtetet aleate të Kosovës, ia kanë bërë kreut të qeverisë. Ky i fundit, gati në çdo paraqitje publike ka përmendur një fakt, se sipas tij raportet me shtetet aleate janë rregulluar krahas veprimeve dhe vendimeve që ka ndërmarrë qeveria karshi dialogut e luftës së pakompromis kundër korrupsionit.

Ishte vet ambasadori i SHBA-ve, Philip Kosnett, ai që mbrëmë e konsideroi si “veprim të gabuar të Hotit” shuarjen e Taskë Forcës Speciale kundër korrupsionit.

Ai në një debat televiziv tha se kjo taskë-forcë ka qenë shumë efektive, dhe nëse e njëjta do të modifikohej, do të ishte diçka krejt normale.

“Mendoj se ka qenë vendim i gabuar pasi task-forca kundër korrupsionit ka qenë shumë efektive. Nëse do të modifikohej kjo task-forcë do të ishte diçka normale”, tha Kosnett dje.

Fjalë të mira për shuarjen e kësaj Taskë Force nuk dha as Gjermania. Berlini zyrtar përmes ambasadës në Prishtinë madje pati kritika shumë të ashpra.

Ambasadori gjerman, Jorn Rode, tha para disa ditësh se marrja e një vendimi të tillë, konteston seriozisht vullnetin politik për luftimin e korrupsionit në vend.

“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngritë shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, tha Rode para disa ditësh.