‘Testime, gjurmime, izolim’: Si arriti ky shtet evropian përmes politikave të rrepta që të mposht koronavirusin

Islanda ka arritur të mbajë nën kontroll koronavirusin, falë një politike të rreptë të provës, gjurmëve dhe izolimit, ka thënë kryeministrja e  vendit.

Ekzistojnë vetëm një numër i vogël i rasteve që shfaqen çdo ditë në vendin ishull me popullsi të rrallë, dhe në një ditë këtë javë nuk u raportuan raste të reja.

“Linja jonë kryesore udhëzuese ka qenë të ndjekim udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit,” tha kryeministrja Katrin Jakobsdottir.

“Kjo do të thotë të testoni shumë njerëz, të gjurmoni, t’i vendosni njerëzit në karantinë dhe t’i keni njerëzit në izolim ku janë të sëmurë. Këto udhëzime janë ato që ne kemi bërë.”

Islanda tani beson se ka testuar një përqindje më të lartë të popullsisë se çdo komb tjetër.

Nga një popullsi prej 360,000, mostrat janë marrë nga 45,000 njerëz, falë një bashkëpunimi midis sektorit publik dhe privat.

Ata me simptoma testohen nga shërbimi shëndetësor. Ndërsa personat që nuk kanë simptoma testohen në klinikë.

Kryeministrja Jakobsdottir thotë se ka përfitime të qenurit një komb I vogël.

“Në një vend të vogël, është më lehtë të marrësh informacion për të gjithë,” thotë ajo.

“Ne kemi treguar shumë solidaritet. Ndoshta sepse ne jemi një komb dhe ishull i vogël. Ne priremi të debatojmë për gjithçka. Por kur ne jemi goditur me diçka të madhe, ne priremi të tregojmë solidaritet të fortë”.

Por testimi është vetëm një pjesë e qasjes së Islandës.

Koha dhe përpjekja e madhe ka shkuar për të ndjekur njerëzit që kanë rënë në kontakt me dikë të konfirmuar të ketë pasur COVID-19.

Një pjesë e një hoteli në kryeqytet është marrë përsipër nga ekipi i gjurmimit të kontaktit të Islandës. Është zhvilluar gjithashtu një aplikacion telefonik COVID-19 i cili mund të gjurmojë lëvizjet e njerëzve.