Terrorizëm, armë e planifikime për vrasje – kronologjia e veprimeve të nëntokës nga “Syri i Popullit”

Mëngjesi i 13 marsit të 2017-tës në Kosovë do të shpërfaqte një organizatë të re të nëntokës, që më vonë do të ndërlidhej me vepra terroriste, atentate dhe planifikime për vrasjen e liderëve shtetëror e figurave të larta politike.

Shkallëve për në banesën e tij, atë ditë ishte plagosur avokati, Azem Vllasi, shkruan lajmi.net.

Atentatori i këtij rasti ishte Murat Jashari, që më vonë do të apostrofohej si pjesëtar i organizatës “Syri i Popullit”.

Në fakt, në listën për likuidim të “Syrit të Popullit, nuk ishte vetëm Azem Vllasi, aty bënin pjesë duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës nga 1980 e deri më 1991 e po ashtu edhe funksionarët nga viti 1999 e deri më 2016, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, pastaj Hajredin Kuçin, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj e duke vazhduar me komandantët e luftës së UÇK-së, të cilët, sipas tyre, e kanë tradhtuar vendin.

Në listën e “Syrit të Popullit”, sipas aktakuzës, ishin edhe ish-kryeprokurorët e Prishtinës-Kosovës, kryetarët e Këshillave Gjyqësorë të pasluftës, kryetarët e Gjykatës së Prishtinës së pasluftës, drejtori i Doganave, drejtori i ATK-së, klerikët fetarë, analistët dhe publicistët të cilët veprojnë e të cilët sipas të pandehurve e kanë tradhtuar vendin.

E gjithë veprimtaria e grupit kishte filluar me një vendim të marrë më 15 maj të vitit 2015, ku anëtarët e kësaj organizate kishin marrë vendim që marsi i 2017-ës të shënonte  fillimin e aksioneve të para, të kundërligjshme për shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese në Kosovë.

Për të arritur gjithë këto plane kriminale, sipas prokurorisë, organizata “Syri i Popullit” kishte një strukturë që kishte edhe fondin e quajtur “Liria e Atdheut” ndërsa, siç përshkruhet në aktakuzë, organizata ka pasur edhe një strukturë të organizuar të hierarkisë të cilët janë përfshirë me emra të koduar dhe secili ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Po ashtu, aktakuza e Prokurorisë përshkruan një kallëzim penal sipas të cilët disa ish-anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës që kanë vepruar në shtetet perëndimore 1980-2000 kishin formuar një organizatë të cilën e kishin emëruar “Lëvizja për Ribashkim Kombëtar”.

Lëvizja “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës, ka Shtabin Qendror prej 12 anëtarëve nga gjithë hapësirat shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se përgjegjës i SHQ është “Sakati” (sipas aktakuzës ishte Murat Jashari) dhe zëdhënës “Besniku” (sipas aktakuzës është Sadri Ramabaja).

Në seancën gjyqësore për “Syrin e Popullit” kishte dëshmuar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli i cili ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, kishte varguar një numër akuzash në drejtim të organizatës.

Veseli e kishte quajtur këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.

“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, kishte theksuar Veseli në gjykatë.

Duke folur për letrat të cilat ishin shkruar në emër të të akuzuarit kryesor, Murat Jashari, Veseli, emri i të cilit figuron në një listë të pretenduar të kësaj organizate për likuidim, kishte pohuar se Jashari nuk është autor i atyre letrave.

“Murati s’din me shkrujt, krejt ja ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëherë se kam pa, shkrimet i ka shkrujt ai”, tha Veseli.

Veç Veselit, në gjykatë për të dëshmuar në këtë rast ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi,

Në dëshminë e tij, kishte deklaruar se prapa organizatës “Syri i Popullit”, qëndron kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.

“Më herët kam pasur indikacione prej autoriteteve që prej nxitësve të miqve të Kosovës që kanë ardhur prej Serbisë ka pasur kanosje. Kanosje e vërtetë ka qenë prej organizatës “Syri i popullit”. Jam informuar prej autoriteteve shtetërore, prej mekanizmave, ditë më parë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi. E kemi përjetu rëndë unë edhe familja ime. Po unë e njoh Sadri Ramabajën. Nuk e njoh Murat Jasharin, por kam dëgju për të. Mbrapa kësaj organizate qëndrojnë Sadria, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi por kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje. Janë fjalë që i kam dëgjuar me veshët e mi, nga Glauk Konjurfca në një seancë në kuvend, që këta njerëz duhet me i vra, dhe pastaj ka ndodhur rasti”, kishte thënë Thaçi.

E sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMW”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova është dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana është dënuar me 2 vjet.

Kurse, Murat Jashari për shkak të gjendjes së tij, është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh, si dhe i është konfiskuar arma.

Ndërkaq, Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale është dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha janë dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha është dënuar edhe me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha refuzohet aktakuza, pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.