Terroristët i shpallin luftë talibanëve, lideri i ISIS-K: Do të sulmojmë kur amerikanët të largohen

Një lider i ISIS-K, grupit terrorist që shkaktoi tre shpërthime në aeroportin e Kabulit të enjten, ka deklaruar më herët se ofensivat terroriste në Afganistan do të vijojnë kundër talibanëve pas largimit të amerikanëve dhe gjithë trupave të huaj nga Afganistani.

Gjatë një interviste me gazetaren e CNN Clarissa Ward dy javë para sulmit në Kabul, lideri i ISIS tha se grupi ishte duke pritur momentin e duhur për taë goditur Afganistanin. Ai theksoi se tashmë grupi kishte rekrutuar anëtarë për tu bashkuar në radhët e ISIS-K.

“Kur të huajt dhe njerëzit e botës të largohen nga Afganistani, ne mund të rifillojmë operacionet tona”, tha komandanti, i cili kërkoi që identiteti i tij të fshihet.

Lideri i ISIS u shpreh se kishte udhëhequr grupe deri në 600 burra, përfshirë indianët dhe pakistanezët, teksa luftonte për talebanët.

“Ne po vepronim në radhët e talibanëve. Sidoqoftë, këta njerëz nuk ishin të lidhur me ne për sa i përket besimit, kështu që ne shkuam në ISIS. Nëse dikush ndjek Sheriatin, ai është vëllai ynë. Përndryshe, ne i shpallim luftë atij qoftë nëse është Talib apo dikush tjetër”, tha ai për Ward.

Komandanti gjithashtu konfirmoi se ISIS-K ka kryer ekzekutime publike dhe shpërthime vetëvrasëse dhe se militantët e grupit “janë përballur” me forcat speciale amerikane “në shumë raste”.

Kur u pyet nëse ishte “i interesuar përfundimisht në kryerjen e sulmeve ndërkombëtare”, komandanti tha se ai mund të komentonte vetëm për operacionet brenda Afganistanit.