Tërmkolli: Qosjes kosovarët ia kanë treguar vendin kaherë, Ramës do t’ia tregojnë vendin shpejt

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar pas sulmit të djeshëm të koordniuar mes dyshes Rama-Qosja ndaj mediave kosovare.

Tërmkolli i cilëson si përbindësh dhe përçarës Ramën dhe Qosjen dhe thotë se të dy s’po arrijnë të pajtohen me dështimin e idesë serbo-ruse për ndarjen e Kosovës dhe “Nova Jugosllavisë” përmes projektit Rama-Vuçiq të ‘Minishengenit”.

Sipas taj, dyshja Rama-Qosja tashmë të dëshpëruar e kanë humbur busullën dhe po flasin përçartë për komplote e shovinizëm të Kosovës ndaj Shqipërisë.

Reagimi i plotë i Tërmkollit:

Falë Zotit që Edi Rama nuk është Shqipëria dhe as Rexhep Qosja nuk është Kosova. Këta monstrumë përçarës të shqiptarëve assesi nuk po pajtohen me dështimin, deri tani, të idesë serbo ruse për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e “Nova Jugosllavisë” përmes projektit të ashtuquajtur “mini-shengen”.

Të dëshpëruar pa fund për këtë dështim, kanë humbur tërësisht busullën kombëtare e flasin përçart për komplote brendashqiptare deri në shovinizëm të Kosovës ndaj Shqipërisë! Akuzojnë, hedhin “gur e dru” mbi mediet e Kosovës (T7, Gazeta Express etj), që po ua prishkan terezinë. Për Qosjen, Shqipëria është Edi Rama dhe kushdo që e kritikon atë, sipas tij, qenka “shovenist”.

Sa gjatë kohë, me dekada, i kemi dëgjuar nga goja e ekstremistëve vrastarë e gjenocidalë të politikës serbe këto “epitete” për shqiptarët e Kosovës. Nga goja e shkrimet e Qosiqit, Milosheviçit, Vuçiqit etj epitetet: nacionalistë, irredentistë, shovinistë, tani, na përsëriten në gojën dhe shkrimet e Qosjes e Ramës! Me sa duket propaganda serbo-ruse dhe ndikimi i ideve të tyre ka shkuar larg, ka prekur lart në majat e pushtetit dhe ndonjërit që quhet akademik.

 Këto sulme e akuza ndaj medieve të Kosovës dhe pak më tepër, janë shumë simptomatike sepse marrin zjarr pikërisht në kohën kur politika e SHBA-ve në krye me Presidentin Trump dhe përfaqësuesin e tij për bisedimet e Kosovës me Serbinë, z. Grenell, kanë intensifikuar përpjekjet në stopimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, sidomos në shtetet shqiptare, në Kosovë e Shqipëri. Bashkë me këtë edhe kursimin e shqiptarëve nga “ndihma” sorosiane, e cila në bazë të shumë indikacioneve është vënë në përkrahje të interesave serbe e ruse në Ballkan dhe me këtë edhe të idesë për ndarjen e Kosovës.

Edhe Qosja edhe Rama janë veç në grahmat e fundit të politikës e ideologjisë së tyre thellësisht dëmtuese për interesat e Kosovës dhe të Shqipërisë. Rexhep Qosjes, shqiptarët e Kosovës ia kanë treguar vendin kaherë. Edi Ramës, sigurisht do t’ia tregojnë vendin shpejt.