Terminologjia në anglisht e Deklaratës për të Zhdukurit mund ta amnistojë Serbinë nga padia për gjenocidin në Kosovë

Deklarata për të Zhdukurit e miratuar sonte në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit serb Aleksandër Vuciq, me ndërmjetësimin e kryeshefit të BE’së Joseph Borrell, e “amniston” Serbinë nga ndonjë padi e mundeshe për gjenocid për krime lufte në Kosovë, bazuar në terminologjinë e përdorur në versionin zyrtarë të deklaratës, në anglisht, për referimin e “personave të zhdukur me forcë”, krahasuar me terminologjinë e përdorur, po ashtu në anglisht, në Konventën Ndërkombëtare Për Mbrojtjen e Të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, sikurse edhe krahasuar me Deklaratën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Personat e Zhdukur, të cilës i referohet vetë deklarata e 2 majit në Bruksel.

Në vitin 2006, OKB-ja miratoi një konventë të veçantë “Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë”, si instrument ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara që synon të parandalojë zhdukjen me forcë, e cila, siç përcaktohet në të drejtën ndërkombëtare, është pjesë e krimeve kundër njerëzimit.

Teksti u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006 dhe u hap për nënshkrim më 6 shkurt 2007. Ai hyri në fuqi më 23 dhjetor 2010. Deri në prill të 2023’ës, 98 shtete kanë e nënshkruar konventën dhe 71 e kanë ratifikuar atë, shkruan Reporteri.net.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, 1617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë nga lufta e fundit në Kosovë.

Kosova në vitin 2021 kishte paralajmëruar se do të ngrejë padi në Gjykatë Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99.

Në maj të vitit 2021, Qeveria e Kosovës padinë për gjenocid e kishte përfshirë, për herë të parë, në programin e vet qeveritar. Madje, shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, ishte zotuar se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.

Por dy vite pas, Kosova me një deklaratë të pranuar dhe miratuar në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, mund ta ketë “amnistuar” Serbinë nga ndjekja penale për gjenocid në Kosovë.

Kjo bazuar në terminologjinë e përdorur në versionin zyrtarë, në anglisht, të deklaratës së miratuar me 2 maj 2023, në kryeqytetin evropian, të ndërmjetësuar nga shefi i BE’së, Joseph Borrell.

Terminologjia e përdorur në deklaratën e miratuar nga Kurti e Vuciq, dallon nga ajo që OKB’ja trajton çështjen e të zhdukurve Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.

Në deklaratën për të Zhdukurit, e publikuar zyrtarisht nga BE’ja, terminologjia e përdorur në anglisht krahas termit për personat e zhdukur, “missing persons” (ang.), – që përfshin zhdukjen e detyruar dhe mbulon gjithashtu situata që variojnë nga rastet e zhdukjes të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore deri te rastet e zhdukjes që përbëjnë krim kundër njerëzimit -, del të jetë “forcibly disappeared” (ang.), ndryshe nga terminologjia “Enforced Disappearance” e përdorur edhe në Deklaratën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për Personat e Zhdukur, deklaratë të cilën në dokumenti i 2 Majit 2023 thekson se ka parasysh.

Në deklaratën e miratuar nga Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb, personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë përkufizohen në anglisht me termin “forcibly disappeared”. Derisa në deklaratën e Kryqit të Kuq të cilën e përmend deklarata e 2 Majit, sikurse edhe Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, për të zhdukurit me dhunë, përdorët termi “Enforced Disappearance”, krahas “missing persons”.

“Enforced disappearance” (eng.), në shqip përkthehet si “zhdukje me forcë”, ndërsa termi “forcibly disappeared” (eng.), i përdorur në deklaratën e miratuar sonte nga Kurti e Vuciq, në shqip përkthehet “u zhduk me forcë”.

Termi në anglisht “disappearance”, i përdorur nga OKB-ja në konventën e saj, i referohet ekskluzivisht akteve të kryera nga qeniet njerëzore dhe përfshin tri nën-kategori: (a) “zhdukje të detyruara” [enforced disappearances], që kryhen nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin ose mbështetjen e shtetit; dhe (b) aktet e përcaktuara në nenin 2 që kryhen nga aktorë jo-shtetërorë pa autorizimin, mbështetjen ose pajtueshmërinë e shtetit; (c) zhdukjet me forcë [enforced disappearances] si krime kundër njerëzimit, duke përfshirë kur kryhen nga aktorë joshtetërorë.

Termi “enforced disappearances”, krahas “missing persons”, sikur të ishte miratuar më 2 maj në Bruksel, do të mbarte me vete edhe implikime ligjore ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë, dhe barrën e provës sipas të Drejtës Ndërkombëtare.

Drafti i “deklaratës për personat e zhdukur” u diskutua për herë të parë në Bruksel në vitin 2022 dhe “mosmarrëveshja kryesore” që e pamundësoi nënshkrim e çfarëdo drafti tjetër, deri të atij të sotëm më 2 maj 2023, ishte pikërisht insistimi i Kosovës që në këtë deklaratë të shtohej termi “forced disappearances”, krahas atij “missing persons”, shkruanReporteri.net.

Versioni zyrtar i deklaratës i publikuar nga BE’ja, tregon se Kosova ka hequr dorë nga ky insistim një vjeçar për shtimin e këtij termi në anglisht në Deklaratën për të Zhdukurit, që përveç tjerash, mos përfshirja e saj në deklaratën për të pagjeturit në Bruksel Serbinë mund ta “amnistojë” nga padia në GJND për gjenocid e paralajmëruar para dy vitesh nga vetë Kryeministri Albin Kurti.

Ndryshe, deklaratën e miratuar sonte në Bruksel, dy liderët, i Kosovës dhe Serbisë, janë pajtuar për të dhënë informacione të nevojshme lidhur me gjetjen e personave të zhdukur nga 1 janari i vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000 “duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë”.

Aty, theksohet se do të përdoret edhe teknologjia LIDAR për identifikimin e varrezave masive.

Deklarata e plotë:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke e inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
për të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të mbetur,
për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,
të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.