Tërhiqet Bosnjë e Hercegovina, e shtyn ndeshjen miqësore me Rusinë

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës kanë mbajtur një mbledhje të hënën, ku kanë marrë vendimin që përfaqësuesja boshnjake të mos luajë një ndeshje miqësore kundër Rusisë.

Takimi u parapa të zhvillohej më 19 nëntor në Shën Petersburg, transmeton Demokracia.com.

“Në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, ndeshja e planifikuar për 19 nëntor u shty. Presidenti i FS të BeH-së, Vico Zeljkoviq deklaroi se zhvillimi i kësaj ndeshje do të shtyhet për një datë të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se informacionet e fundit se Bosnja dhe Rusia do të luajnë një ndeshje miqësore tërhoqën shumë vëmendje, por edhe shumë dënime. Kjo për shkak se Kombëtarja dhe ekipet ruse janë përjashtuar nga UEFA dhe FIFA kjo pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të këtij viti.

Po ashtu, në atë kohë disa futbollistë dolën publikisht dhe thanë se nuk do të luanin.