Mbrojtësi i Ajaxit

Tërhiqet Barcelona, De Ligt mes Bayernit dhe Juventusit

Do të ketë një duel mes Bayernit dhe Juventusit për shërbimet e mbrojtësit të talentuar holandez, De Ligt.

Nga Spanja raportohet se Barcelona është tërhequr nga gara, duke qenë e bindur se futbollisti i kombëtares së Holandës do të zbarkojë në Gjemani ose Itali.

“Blaugranat” pëlqenin si De Ligt ashtu edhe Frenkie de Jong, por interesimet e klubeve të tjera më emër bëri që vlera e tyre të rritej aq shumë sa Barcelona ta konsiderojë të palogjikshme shifrën që kërkohet për ta.

Në mes është menaxheri Mino Raiola, që e di mirë sesi të rritë çmimin e kartonëve të klientëve të tij, sigurisht me mbështetjen e klubit që i ka në pronësi. Është fakt që de Ligt, 19 vjeç, vlerësohet 50 milionë euro, por kjo shifër mund të rritet nëse do të vijojë konkurrenca e ashpër mes klubeve të mëdha.

Juventusi, gjithsesi, ka marrëdhënie shumë të mira me Raiolan, ndaj mund të konsiderohet favorit. Mbrojtësi ishte para pak ditësh në Torino për të tërhequr çmimin e lojtarit të ri më të mirë dhe e ka pranuar se do t’i pëlqente një aventurë me fanellën bardhezi. Tani duhet kuptuar se sa seriozisht do ta marrë Bayerni rivalitetin me kampionët e Italisë për “tulipanin” e Ajaxit.