Portieri i Barcelonës, Ter Stegen thotë se katalanasit nuk e kanë luksin të mendojnë se si do të jetë Real Madridi pa Cristiano Ronaldon në “El Clasico” që zhvillohet të dielën.
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i mbretërve, u largua nga “Santiago Bernabeu” verën e kaluar për t’u transferuar te Juventusi, ndërsa “Los Blancos” nuk u përforcuan me emra të rëndësishëm, teksa blerja e vetme në sulm ishte Mariano Diaz.
Real Madridi i dha fund këtë mesjavë serisë negative prej 5 ndeshjeve pa fitore, me suksesin e ngushtë 2-1 ndaj Viktoria Plzen, kurse vlen të përmendet se në 4 prej 5 atyre takimeve nuk arriti të shënojë gol.
Barcelona ka 4 pikë më shumë se Real Madridi para përballjes direkte në “Camp Nou”, me Ter Stegen që i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të fokusohen te formacioni aktual i madrilienëve sesa te kush mungon.
“Unë nuk ndalem te një lojtar, Real Madridi ka shumë futbollistë me kualitet të lartë. Është e vërtetë se Cristiano Ronaldo shënonte shumë gola dhe ishte shumë i rëndësishëm për ta dhe mungesa e tij do të vërehet. Ne duhet të fokusohemi te vetja në mënyrë që të arrijmë një sezon spektakolar”, deklaroi portieri gjerman.
Ter Stegen tutje zbuloi se ishte pranë largimit nga Barcelona në kohën kur ndante portën me gardianin kilian, Claudio Bravo, për shkak se 26 vjeçari gjerman dëshironte të aktivizohej vazhdimisht.







