Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka kundër-replikuar deklaratave të shefave të grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së për mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Mitrovicë, thënë se deklarata të këtilla nxisin dhunuesit të kryejnë vepra penale

Haxhiu këtë e ka deklaruar në seancën plenare të së enjtes, duke pretenduar se shefat e GP-së së PDK-së dhe LDK-së po keq-informojnë qytetarët, shkruan lajmi.net.

“Ju ftoj që mos me i keq-informu qytetartë. Me dalë shefi i GP-së i PDK-së dhe LDK-së dhe me thanë se nuk ka gjqytarë e prokurorë, është më së paku për t’i thënë keq-informim. Ju po i inkurajoni qytetartë, por edhe po i inkurajoni dhunuesit. Sepse, një dhunues kur ta sheh ty duke thënë se s’ka prokurorë e gjyqtarë, natyrisht që e bën një vepër penale. Se, thotë ka thënë shefi i GP-së që s’ka prokurorë e gjyqtarë. A je në gjendje me dhënë dorëheqje z. Tahiri nëse ajo çka ke thënë këtë është e vërtetë? Prandaj, mos shpifni, mos manipuloni”, ka deklaruar ajo.

Ndër të tjera, ministrja Haxhiu ka kërkuar, siç e ka quajtur ajo, unifikim të opozitës me qëndrimet e pushtetit përballë Serbisë. Ndërkaq, si arritje e ka përmendur qëndrimin e unifikuar të tre krerëve shtetërorë për dialogun me Serbinë.

“Për shkak të situatës në veriun e vendit, natyrisht që duhet t’i themi të vërtetat tona. Së pari, konsideroj që për herë të parë Republika e Kosovës ka pozicion të dinjitetshëm në raport me negociatat me Serbinë, diçka që nuk e kemi parë më herët. Për herë të parë, tre krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës janë të unifikuar me qëndrimet e tyre përballë Serbisë. Do të doja që këtij unifikimi t’i bashkohet edhe opozita”, ka deklaruar ajo.

“Arsyeja pse po e përmend këtë është sepse po bazohem çka ka ndodh në të kalumen, është lëshuar pe përballë Serbisë. Sa herë ka pasë kërkesë nga Vuçiqi, asnjëherë s’i keni thënë jo, gjithmonë i keni thënë po. Po të mos kishte vullnet qytetar për ta penguar marrëveshjen e vitit 2013, sot do ta kishim bosnjëzimin e Kosovës”, vijoi deklarimi i saj. /Lajmi.net/