Policia në Gjilan ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për ofrimin e informatave të cilat do të ndihmonin në arrestimin e Burim Agajt.
Policia e Kosovës, këtë të shtunë ia ka publikuar fotografinë së bashku me detaje të tjera Burim Agajt, i cili ndër të tjera po akuzohet për veprën tentim vrasje ndaj policëve.
Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve, për ta lokalizuar të dyshuarin.
Njoftimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Kërkesë për bashkëpunim
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i hetimeve që operon në kuadër të stacionit policorë në Gjilan, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.
I dyshuari kërkohet për përfshirje në disa raste të veprave penale (tentim vrasje ndaj policëve në detyrë), që janë raportuar kohëve të fundit në Policinë Rajonale në Gjilan.
Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjen e tij, mund të lajmëroni në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës apo përmes numrit 192.







