Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, presioni ndaj Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë është rritur dhe se për herë të parë gjatë agresionit ushtarak në Ukrainë, Moska ka shfaqur pakënaqësi, shkruan e përditshmja ruse Kommersant.

Në një artikull të titulluar “Serbia po sulmohet nga të gjitha anët – edhe Perëndimi edhe Rusia janë të pakënaqur me Beogradin”, gazeta shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili gjendet mes zjarrit diplomatik, pritet të ndërmarr hapa drejt Perëndimit për t’u larguar nga Rusia.

Presioni ndaj Beogradit po drejtohet nga Gjermania, e cila konsiderohet si partneri kryesor i Serbisë në BE, shkruan e përditshmja, duke shtuar se presidenti Walter Steinmeier në mesazhin e tij të urimit drejtuar Vuçiqit, javën e kaluar, ka thënë se koordinimi i politikës së jashtme të Serbisë me BE-në, veçanërisht ndaj Rusisë duhet përfshirë sanksionet ndaj kësaj të fundit.

Kommersant shkruan sot se janë realizuar parashikimet e ekspertëve se presioni i BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë do të rritet pas zgjedhjeve.

“Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, Perëndimi ka vlerësuar se është anormale që Serbia të mbetet e vetmja anëtare dhe kandidate për BE që nuk i është bashkuar sanksioneve. Për më tepër, Perëndimi nuk ishte i kënaqur që Serbia ka mbështetur tre herë rezolutat anti-ruse në OKB, duke përfshirë edhe atë të fundit që pezulloi anëtarësimin e Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, thekson Kommersant, përcjell N1.

Gazeta shkruan se “një moment i ri dhe shumë i pakëndshëm për Vuçiqin, i cili po tenton të ulet në dy karrige”, ka qenë se edhe Moska ka shprehur pakënaqësi për qëndrimin e tij.

Vuçiq së shpejti mund të tregojë “qëndrim miqësor ndaj Rusisë” edhe nëse ai ende nuk i bashkohet sanksioneve perëndimore, si dhe të kujtojë dëshirën e presidentit Vladimir Putin – të përfshijë më shumë politikanë në Qeverinë serbe që janë të orientuar drejt zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë, thekson gazeta.

E përditshmja shkruan se partneri kryesor i Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit është Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit, e cila konsiderohet “një nga politikanët kryesorë pro-rusë” në Serbi.