Tensionohet situata mes Juventusit dhe Ronaldos pas takimit të sotëm

Situata mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos është tensionuar pas një takimi mes drejtuesve të klubit dhe menaxherit të lojtarit, Jorge Mendes.

Sipas mediave të shumta italiane, Juventusi ia ka bërë me dije Mendesit se nuk do ta lejojë Ronaldon të largohet falas.

Manchester City, ekipi i vetëm që ka shfaqur interesim për Ronaldon, nuk ka bërë asnjë ofertë për portugezin sepse nuk dëshiron të paguajë për transferimin e tij.

Mendesi mbërriti në Torino të mërkurën mbrëma dhe u takua me drejtuesit e Juventusit mëngjesin e sotëm.

Sipas Il Correire dello Sprt, takimi mes dy palëve u kërkua nga Juventusi për ta sqaruar qëndrimin e Ronaldos dhe menaxherit të tij.

Takimi nuk ka qenë paqësor, sipas mediave në Itali, pasi Ronaldo po e kërkon largimin me çdo kusht.

Juventusi e ka bërë të qartë në takim se Ronaldo nuk mund të largohet falas nga Allianz Stadium.

Manchester City nuk ka bërë ofertë te Juventusi për Ronaldon deri tani dhe sipas mediave të shumta, nuk e ka ndërmend ta paguajë asnjë cent për ta blerë ish-yllin e Manchester Unitedit dhe Real Madridit.

Juventusi, në anën tjetër, i dëshiron të paktën 25 milionë euro për ta shitur Ronaldon.

Bardhezinjtë janë të hapur për ta shitur portugezin, por vetëm sipas kushteve të tyre.