Tensione në partinë e Vuçiqit, kryeministrja serbe e pranon se pushimet i kreu në Kroaci

Pushimet në Kroaci prej ditësh kanë qenë temë e përfaqësuesve të Partisë Përparimtare Serbe (partia e Vuçiqit), në radhë të parë Vladimir Gjukanoviq dhe Millosh Vuçeviq, të cilët “nuk i kuptojnë serbët që pushojnë në një shtet fqinj”.

Ndër ata që kanë prona dhe që kaluan me kënaqësi pushimet në bregdetin kroat është kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila megjithatë ka një shpjegim për rastin e saj.

Kryetarja e Qeverisë së Serbisë ka shpjeguar se ajo ka trashëguar pronën në Kroaci dhe për këtë arsye ka pushuar atje.

“Unë kam një shtëpi në Kroaci, në ishullin Kërk. Gjyshi im, babai i babait tim është nga Kërku, kështu që unë kam shtëpinë time atje. Për herë të fundit kam qenë në vitin 2016, që kur kam hyrë në qeveri, si ministre për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, nuk kam shkuar në shtëpinë time”, ka deklaruar ajo, transmeton Ballkani.info.

Bërnabiq thotë se “në këtë moment e ndjen” se nuk i shkon mirë si kryeministre të kalojë verën në Kroaci.

Ana Bërnabiq gjatë pushimeve në Kroaci

“Një pjesë e familjes sime sigurisht ka shkuar dhe ka pushuar atje. Kjo është ndjenja ime personale, private dhe nuk mendoj se duhet ta shpjegoj”, tha Bërnabiq.

Kujtojmë se një ditë më parë, përfaqësuesi i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, Vladimir Gjukanoviq u ka dërguar një mesazh kolegëve të tij partiak se “mos t’i lajmërohen nëse e kalojnë verën në Kroaci”.

“Kushdo që është anëtar i SNS dhe paguan për aranzhimet turistike, lidhjet dhe të ngjashme në Kroaci, nuk ka nevojë të më kontaktojë apo të më përshëndes. Pra, nënvizoj, kush paguan pushimet atje, ka ankorim për një varkë, një jaht… nuk ka pse të flasë me mua një person i tillë. Nuk kam çfarë të flas me të”, ka shkruar Gjukanoviq.

I pyetur nëse kjo do të thotë se nuk do të flasë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila po e kalon verën në një shtet fqinj, Gjukanoviq u përpoq të distancohet duke thënë se mund t’i kuptojë ata që kanë shtëpi familjare atje.

Edhe kryetari i Novi Sadit, Millosh Vuçeviq, nuk i kupton serbët që pushojnë në Kroaci.

“Lërini të fluturojnë ku të duan, nuk më intereson. Por duhet të jetë e keqe dhe mjaft e pakëndshme të jesh serb nesër në Dalmaci ose diku me pushime në detin Adriatik në Kroaci, sepse nesër do të festojnë dhe do të thonë se fituan duke ndarë serbët. E vetmja gjë e mirë do të ishte nëse zhytesh gjithë ditën, e merr një shishe të madhe oksigjeni, futesh nën det dhe pretendon se kjo nuk po ndodh dhe se ka njerëz vërtet të mirë rreth teje”, tha Vuçeviq. /Ballkani.info/