Ten Hag

Ten Hag e ka një ide si ta dërgojë Man Utd në Ligën e Kampionëve edhe nëse nuk futet në top katërshe

Manchester United është mposhtur në derbin e qytetit nga Manchester City me rezultat 3-1 përkundër se Djajtë e Kuq ishin në epërsi pas pjesës së parë.

Objektivi i Djajve të Kuq ishte të riktheheshin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, por kjo gjë tani duket shumë e vështirë.

Aktualisht United ndodhet në pozitën e gjashtë në tabelë me 44 pikë, gjashtë më pak se Tottenham në vendin e pestë dhe 11 më pak se Aston Villa e vendit të katërt.

Megjithatë trajnerit holandez i United, Erik Tan Hag ka një ide se si ta dërgojë skuadrën e tij në garën më të madhe evropiane për klube, nga pozita e pestë.

“Këtë vit ne po përparojmë vërtet dhe ju duhet të merrni disa pikë. Të gjithë mund t’i mundin të gjithë dhe gjërat mund të kthehen shpejt”.

“Pozita e pestë në kampionat mund të jetë gjithashtu një pozicion për Ligën e Kampionëve, kështu që ne duhet të luftojmë për të”, ka deklaruar trajneri holandez i United.

Falë një ndryshimi të rregullave të UEFA-s, skuadrat që përfundojnë të pestat në ligat kryesore të Evropës mund të kenë një shans për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Nuk ka asnjë garanci që Liga Premier do të fitoj të drejtën t’i dërgojë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, megjithatë Ten Hag beson fuqishëm se nga kjo pozitë mund ta arrijë garën më të madhe evropiane për klube.