Televonela rozë “CR7” pasurohet me një tjetër episod

Cristiano Ronaldo nuk gjen paqe sa u përket akuzave për përdhunim. Tashmë duket se është një vajzë tjetër, që supozohet se ka marrë të njëjtin trajtim si Kathryn Mayorga, diçka që u zbulua për median amerikane nga avokati i modeles amerikane, Lesli Stoval, duke lënë të kuptohet se ka mundësi që hetimet për Ronaldon të zgjerohen.

“Një vajzë tjetër ka hyrë në kontakt me mua, – tha Lesli Stoval. – Por kjo nuk është gjithçka. Dua të flas me të gjitha ish-të dashurat e futbollistit, me vajzat që e njohin atë në mënyrë intime. Do të ishte diçka me vlerë për të kuptuar sjelljen e tij. Nëse do të jetë e nevojshme, do të shkoj edhe në Angli”.

Për momentin, nuk dihet identiteti i vajzës tjetër që mund të hyjë në skenë sa i përket kësaj historie. Nuk dihen as gjeneralitetet e saj, por mësohet se Stoval i ka dërguar ato në zyrat e policisë së Las Vegasit, që rihapi çështjen e vitit 2009.

Por jo vetëm kaq! Në orët e fundit, “Der Spiegel” publikoi edhe akordin e nënshkruar mes Ronaldos dhe Kathryn Mayorga, për heshtjen e kësaj të fundit. Akordi është nënshkruar më 12 janar 2010 dhe është i ndarë në 11 klauzola.

Sipas këtij akordi, Mayorga nuk duhej të denigronte në publik emrin e Ronaldos. Madje nuk duhej të fliste as me familjen e nuk duhej të merrte pjesë në takime kolektive psikoterapike, ku me shumë mundësi do të tregonte çfarë ndodhi.

Për sa u përket detyrimeve të Ronaldos, portugezi do të dorëzonte testet e virusit HIV për të qetësuar modelen. Në të njëjtën kohë, mësohet se Mayorga i dërgoi Ronaldos edhe një letër të gjatë, ku theksonte se ishte penduar që kishte pranuar të merrte parà në këmbim të heshtjes së saj.

“Do të më pëlqente t’i tregoja botës se kush je në të vërtetë”, shkruhej ndër të tjera në letrën e Mayorgas.