Telekomi i reagon ish drejtorit financiar, militantit të VV-së, Feim Kelmendit: Këto janë shkeljet që ke bërë

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka reagur ndaj zyrtarit të kësaj kompanie, Feim Kelmendi, i cili së fundi ka jap dorëheqje nga pozita e drejtorit financiar.

Kelmendi mbrëmë ka akuzuar ushtruesin e ri të detyrës së kryeshefit të Telekomit, Zeqir Kiqinën, ndërkaq sot Telekomi përmes reagimit i ka numëruar disa nga shkeljet që ka bërë Kelmendi.

“Me qëllim të informimit të drejtë dhe distancimit nga gjuha e përdorur e zyrtarit tonë të kompanisë Feim Kelmendi, dua të theksoj se komentet e tij në rrjetet sociale, jo vetëm që janë shpifje të ulëta, por përveç të tjerash përbëjnë shkelje të rregulloreve të brendshme të kompanisë, ku prononcimet rreth kompanisë dhe temave me interes, janë të rregulluara me procedura të brendshme. Kjo gjuhë denigrues e përdorur nga zyrtari në fjalë, nuk përkon me realitetin, aq më tepër kur Feim Kelmendi keqpërdor pozicionin e tij aktual duke luajtur rolin e hetuesit, prokurorit apo gjyqtarit dhe duke bërë vetëgjyqësi”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, nuk është hera e parë që ky zyrtar bën shkelje të kësaj natyre, kur gjatë aktit të dorëheqjes së tij ka publikuar të dhëna mbi kompaninë, sekrete financiare, duke publikuar shifra të operatorëve ekonomik dhe të Telekomit, duke shkelur në këtë mënyrë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave, duke ndikuar kjo në imazhin e kontraktorëve dhe partnerëve të Telekomit të Kosovës.

“Këto veprime të tij janë thjeshtë dhe vetëm shpërfaqje e paaftësisë së tij në fushën e menaxhimit të financave dhe biznesit. Kjo gjë është dëshmuar me faktin se gjatë kohës së udhëheqjes së tij me financat e kompanisë, i njëjti ka mbajtur në llogari të Telekomit të Kosovës një shumë të caktuar të mjeteve financiare, në situatën kur Telekomi i Kosoves në të njëjten kohë i është ekspozuar një numri shumë  të madh të mundësive që këto llogari të bllokoheshin në çdo moment, por për çudi ato u bllokuan vetëm nga një kontraktor/partner dhe kjo lind dyshime të një vepre penale, gjë për të cilën jemi duke u konsulltuar me ligjin dhe rregulloret e brendshme”, thekson menaxhmenti i Telekomit.

Telekomi i Kosovës është i hapur dhe bashkëpunues me çdo akter, qoftë punonjës i kompanisë, qoftë palë nga jashtë, për t’iu drejtuar organeve kompetente për çfarëdo pretendimi apo dyshimi që mund ta ketë dëmtuar kompaninë tonë.

Si Menaxhment jemi të përkushtuar dhe zotuar para Bordit dhe Aksionarit që do të bëjmë të pamundurën që kompania të rimëkëmbet dhe të arrijë stabilitetin financiar, jo të dëmtohet dhe njëlloset nga zyrtarët e tillë që nuk ia duan të mirën kompanisë dhe janë në shërbim të interesave politike, thuhet në fund të reagimit.

Të kujtojmë se Feim Kelmendi ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit financiar në kohën e Qeverisë Kurti. Kelmendi është përkrahës i madh i Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Në llogarinë e tij në Facebook ai hapur ka dalë në mbështetje të VV-së, madje postimet e tij japin me kuptu se ai është më shumë se përkrahës – militant. /Ballkani.info/