Të premten Disiplinori vendos për borxhet e Prishtinës dhe Ferizajt

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të vendosë të premten për fatin e Prishtinës dhe Ferizajt rreth borxheve të cilat ua kanë disa futbollistëve.

Për mosrespektim të kontratave lidhur me lojtarët, më 8 dhjetor, Komisioni hapi procedurë disiplinore për 12 klube: Ferizajn, Feronikelin, Drenicën, Prishtinën, Dukagjinin, Llapin, Flamurtarin, Vushtrrinë, Trepçën, Arbërinë, Vitinë dhe Besën.

KOHA ka mësuar se Feronikeli, Drenica, Llapi, Besa dhe një pjesë dërrmuese e klubeve i kanë kryer obligimet ndaj lojtarëve brenda afatit të paraparë, që ishte deri më 4 janar. Ndërkohë, një burim nga FFK-ja i ka thënë KOHËS se dy skuadra, Prishtina dhe Ferizaj, ende nuk i janë përgjigjur ftesës së disiplinorit.

Në mbledhjen që do të mbahet të premten nga ora 13:00 do të vendoset për një deklaratë të kryetarit të Prishtinës, Remzi Ejupi, si dhe për marrëveshjet lojtarë-klube.

Më 8 dhjetor klubeve u është dhënë afat për t’i kryer obligimet ndaj futbollistëve dhe afat shtesë mund të jepet të premten.

Në Rregulloren disiplinore shkruan se klubit i cili nuk përmbush detyrimet ndaj organeve zyrtare, ndaj klubeve, lojtarëve, trajnerëve dhe personave zyrtarë, do t’i shqiptohet masa disiplinore: dënimi në të holla nga 1000 deri 10000 euro ose marrja deri në 9 pikë.