Të paktën 10 të vrarë nga një sulm me bombë në një shkollë në Afganistan

Të paktën 10 persona janë vrarë pas një shpërthimi me bombë në një shkollë fetare në veri të Afganistanit, kanë thënë talibanët.

Shpërthimi la shumë të tjerë të plagosur. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Shpërthimi thuhet se ka ndodhur teksa njerëzit po largoheshin nga lutjet e xhematit dhe një mjek në spitalin lokal tha se shumica e viktimave ishin nxënës të shkollës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Nafee Takkur, tha se forcat e sigurisë së talibanëve po hetonin sulmin dhe u zotua të identifikojnë autorët dhe t’i ndëshkojnë ata për veprimet.

Afganistani është tronditur nga dhjetëra shpërthime që kur talibanët morën pushtetin vitin e kaluar, kryesisht nga Shteti Islamik – Provinca Khorasan (ISIS-K).

ISIS-K është grupi më ekstrem nga grupet militante në Afganistan dhe ka vënë në shënjestër pakicat fetare – si Hazarat – të cilët talebanët janë zotuar t’i mbrojnë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, Human Rights Watch kohët e fundit vërejti se “autoritetet talebane kanë bërë pak për të mbrojtur këto komunitete nga sulmet vetëvrasëse dhe sulme të tjera të paligjshme”.

Në shtator, të paktën 54 persona – përfshirë 51 vajza dhe gra të reja – u vranë pasi një person shpërtheu një bombë në kryeqytetin Kabul. Sulmuesi kishte shënjestruar një sallë ku qindra studentë po bënin një test për pranimin në universitet.