Te Liverpooli pranojnë eliminimin nga Championsi pa e luajtur ndeshjen e kthimit

Mbrojtësi Virgil van Dijk ka pranuar eliminimin e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve pas humbjes në ndeshjen e parë të 1/8 së finales nga Real Madridi. Holandezi ka thënë se Liverpoolin e pret një mision “pothuajse i pamundur” në ndeshjen e kthimit, për t’i mbajtur gjallë shpresat për avancim në çerekfinale të Championsit.

Liverpooli u demolua të martën mbrëma në “Anfield Road” nga Real Madridi me rezultatin 5:2, edhe pse ishte në avantazh prej dy golave. Për Liverpoolin, kjo ishte humbja më e thellë në shtëpi në garat evropiane dhe Van Dijk nuk pret ndonjë mrekulli në ndeshjen e kthimit, duke shtuar se duhet të fokusohen në Premier League.

“E kemi një mision pothuajse të pamundur në Madrid pas tri javësh dhe gjëja e vetme që mund të bëjmë është të japim gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar klubin në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk mund të bëjmë ndonjë mrekulli, por thjesht të mos përsëritim gabimet që i bëmë në ndeshjen e parë, të cilat na kushtuan me pranimin e pesë golave”, ka thënë Van Dijk. “Ky është realiteti i hidhur të cilin duhet ta pranojmë. Tani fokusin duhet ta kthejmë në kampionat dhe te ndeshja e radhës me Crystal Palace”.

Liverpooli pati një start të furishëm ndaj Real Madridit, ku vetëm pas një çerek ore lojë shënoi dy gola nëpërmjet Darwin Nunezit dhe Mohamed Salahut. Pas këtyre golave, dukej se Liverpooli do t’i hakmerrej Realit për humbjen që ia shkaktoi sezonin e shkuar në finalen e Parisit. Mirëpo, gjërat nuk shkuan ashtu, pasi Reali u kundërpërgjigj fuqishëm, me Vinicus Juniorin e Karim Benzeman që shënuan nga dy gola, dhe mbrojtësin Eder Militao, që gjithashtu u fut në listën e golashënuesve.

“Reali ka lojtarë cilësorë në të gjithë ekipin, të cilët mund t’ju ndëshkojnë dhe të ndëshkojnë gabimet që bëni dhe kjo është ajo që ata bënë ndaj nesh, veçanërisht në pjesën e dytë”, u shpreh kapiteni i Holandës, Van Dijk. “Është shumë e lehtë të shohësh se kemi bërë gabime që nuk duhet t’i bëjmë, por kjo ndodh në futboll. Ne nuk jemi robotë”.

Humbja ndëshkuese nga Reali vetëm se konfirmon një sezon të mjerueshëm për Liverpoolin, i cili është jashtë dy garave të kupave vendase dhe është në vendin e tetë në Premier League. Ekipi i trajnerit Juergen Klopp tani ka pranuar tre ose më shumë gola tetë herë këtë sezon dhe problemet në mbrojtje po janë të mëdha, sidomos me lëndimin e mundshëm të Joe Gomezit, i cili u largua para kohe në duelin ndaj Real Madridit.

Megjithatë, Liverpooli është vetëm shtatë pikë prapa Tottenhamit të vendit të katërt në kampionat, me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Janë edhe 16 ndeshje të mbetura për të shpëtuar sezonin, duke u kualifikuar në Champions për sezonin e ardhshëm. Van Dijk tha se e vetmja mënyrë që Liverpooli të dalë nga kriza është që të gjithë lojtarët të luftojnë së bashku.

“Të gjithë janë të zemëruar, të gjithë janë padyshim të zhgënjyer, por ndeshja tjetër është pas katër ditësh në udhëtim te Crystal Palace. Kështu që nëse duam të luajmë atje, duhet të ndryshojmë shpejt mënyrën e lojës dhe kjo është ajo që do ta bëjmë”, tha Van Dijk.