Të dënuarit në Danimarkë vijnë vitin tjetër për ta vuajtur dënimin në Kosovë: Ministria nuk e tregon profilin e tyre

300 të burgosur nga Danimarka pritet të vijnë në Kosovë vitin e ardhshëm për të vuajtur dënimin.

Kjo pasi Danimarka dhe Kosova në dhjetor të vitit të kaluar kanë nënshkruar marrëveshje për dhënien me qira të 300 qelive të burgut, e cila pritet të ratifikohet në Kuvend.

Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.

Nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje me shkrim për lajmi.net kanë bërë të ditur se të dënuarit e parë nga Danimarka do të transferohen për në Kosovë në muajt e parë të vitit 2023, në rast se marrëveshja përkrahet nga deputetët e Kuvendit.

“Republika e Kosovës pret që në muajt e parë të vitit 2023 të transferohen të dënuarit e parë nga Mbretëria e Danimarkës nëse marrëveshja ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, kanë thënë nga MD.

Sa i përket listës me emrat dhe profilet e të dënuarve, nga ky dikaster kanë thënë se është pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve dhe se do të bëhen të njohura përpara transferimit të tyre nga Danimarka në Kosovës.

“Çështjet e listës, me emrat dhe profilet e të dënuarve që do të transferohen në Kosovë janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve dhe do të bëhen të njohura përpara transferimit të tyre nga Danimarka në Kosovës. Kjo kategori e të dënuarve ka shtetësi të vendeve të ndryshme”, kanë thënë tutje nga Ministria.

Ndërsa, kanë shtuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të bëjë përgatitje kryesisht në funksion të përshtatjes së infrastrukturës fizike të objektit si dhe shtimit të kapaciteteve profesionale për administrimin dhe zbatimin e duhur të marrëveshjes.