Tashmë 100% juventin, sulmuesi kërkon më shumë hapësira nga trajneri Allegri

Sulmuesi polak Arek Milik përgatitet për sezonin e tij të dytë me fanellën e Juventus , këtë here jo si një lojtar i huazuar por si një futbollist 100% bardhezi. Klubi bleu këtë verë kartonin e lojtarit, që përgatitet për një sezon si protagonist, teksa kërkon më shumë hapësirë nga trajneri Allegri.

“Nuk e di nëse do të jem titullar, pasi nuk e di formacionin që ka ndërmend trajneri. Këtu ka shumë lojtarë që duelojnë fort për një rol, ndaj nuk do të jetë e lehtë. Kemi shumë lojtarë cilësorë që mund të shënojnë shumë gola”, tha Milik, që sezonin e kaluar luajti në total në 39 ndeshje e realizoi 9 gola (27 ndeshje e 7 gola në kampionat).

“Do të ketë rivalitet, kjo është e sigurtë dhe është pozitive, por në fund rëndësi ka skuadra. Natyrisht që dua të luaj sa më shumë, por vendos trajneri. E rëndësishme është të jemi gati kur të nisë sezoni i ri dhe të jemi gati fizikisht”, tha Milik.

Sulmuesi 29-vjeçar, që më herët ka luajtur në Serie A edhe me Napoli, shprehet: “Duhet të jemi gati për të përballuar një sezon të gjatë, ndaj kjo fazë përgatitore është e rëndësishme. Duhet të luajmë ashtu si gjithnjë, për fitore”.