LAJMI I FUNDIT

Tanjug: Arrestohet një serb i dyshuar për spiunazh, punonte për AKI-në e Kosovë dhe SHISH-in e Shqipërisë!

Anëtarët e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë Publike të Jagodinës, kanë arrestuar P. M. nga Jagodina, shtetas i Serbisë, i dyshuar për veprën penale spiunazh.

Agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug raporton se nga një burim pranë strukturave të sigurisë, ai u arrestua pas kthimit nga jashtë në kuadër të hetimeve dhe ndjekjeve të mëtejshme të një grupi personash që përbënin rrjetin e inteligjencës të formuar nga D.R në territorin e Serbisë me urdhër të agjencisë së inteligjencës së Shqipërisë (SHISH) dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), transmeton Ballkani.info.

Atij i është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë.

Dyshohet se P. M me urdhër të D. R është angazhuar në mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave për lëvizjen e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore dhe të ushtrisë serbe në zonën e Serbisë qendrore.

Të dhënat e mbledhura ia ka dorëzuar kreut të këtij grupi spiun, D.R., i cili më pas ua ka përcjellë pjesëtarëve të shërbimit inteligjent të Shqipërisë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, për të cilën kanë marrë kompensim monetar. Tutje Tanjug shkruan se “SHISH ashtu edhe AKI-ja përveç nevojave të tyre për inteligjencë, të dhënat i përdorën edhe për përpjekje për të diskredituar Republikën e Serbisë në kuadrin ndërkombëtar”.

Në janar, D.R. u arrestua nën dyshimin për spiunazh.

“Që nga viti 2022, me një rrjet bashkëpunëtorësh të tij, ai mbledh të dhëna për Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë për pjesëtarë individualë të shërbimeve të sigurimit të Serbisë dhe serbë nga Kosova, dhe me urdhër të tyre ishte i angazhuar edhe në situata krize në veri të Kosovës gjatë protestave dhe barrikadave”, shkruan tutje Tanjug.

“Ai në disa raste ka filmuar edhe lëvizjet e forcave të sigurisë serbe në zonën e komunës së Rashkës. Pak ditë pasi D.R u arrestua, është kapur edhe A.D nga Novi Pazari, i cili ishte gjithashtu pjesë e këtij grupi spiun”, përfundon teksti i agjencisë serbe të lajmeve. /Ballkani.info/