Tani e mbështet Kurtin për aksionet në veri, por kjo ishte koha kur Kusari-Lila ishte kundër ligjshmërisë

Qeverisë së Albin Kurtit dhe pushtetit të partisë së tij po i mungon konsistenca në qëndrime. Nëse Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij deklarohen sot për një temë të caktuar, askush nuk garanton se ata do ta mbajnë qëndrimin e njëjtë edhe nesër, për të njëjtën çështje. Kjo e bënë kaotik dhe të çakorduar totalisht pushtetin e LVV-së, derisa Albin Kurtin e ka kthyer në një politikan komik.

Në mesin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes që spikatin me qëndrime të turbullta dhe shpeshherë në kundërshtim të plotë njëri me tjetrin është edhe kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila.

Ndryshimi i qëndrimeve mund të jetë një çështje lehtësisht e kapërcyeshme për Kusari – Lilën, e cila u ka shërbyer gati të gjitha qeverive dhe partive politike, shkruan Demokracia.com

Edhe për aksionet në veriun e Kosovës, Kusari – Lila është në gjendje t’i përshtat qëndrimet varësisht sesi e kërkon situata aktuale politike dhe si e kërkon shefi i saj, Albin Kurti.

Kur duhej të mbroheshin vendimet e Albin Kurtit për t’ua paguar rrymën serbëve në veri, gjë të cilën e kishte kundërshtuar ashpër sa ishte në opozitë, kryeministri Kurti e përdorte Mimoza Kusari – Lilën.

Në një rast, ajo gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës kishte thënë se më mirë është të ndahen mjete për pagesën e rrymës së serbëve të veriut sesa të dërgohen forca policore dhe të na kthehen në arkivol, sikur rasti i policit tashmë hero, Enver Zymberit.

Por, pavarësisht këtij qëndrimi të para më shumë se një viti, Kusari – Lila tashmë mban një qëndrim krejtësisht tjetër për aksionet në veri. Natyrisht se është politika ditore që ia përcakton edhe sjelljen e çakorduar, por ajo tashmë mban një qëndrim krejtësisht të kundërt për aksionet policore në veri.

Tani për deputeten Kusari – Lila dërgimi i njësive policore në veriun e Kosovës për të zbatuar dy vendime të Qeverisë për reciprocitet në targa të automjeteve dhe letërnjoftime në raport me Serbinë është një vendim që duhet përshëndetur.

Çuditërisht, Kusari – Lila ka “gjetur” argumente për ta goditur opozitën për çështje që ajo vetë i mbronte kur arsyetonte vendimet e Kurtit për t’ia paguar rrymën serbëve në veri.

Edhe pse askush nga opozita nuk i ka përmendur çështjet që ajo i ngriti të enjten në Kuvendin e Kosovës, Kusari – Lila ka fajësuar udhëheqësit e partive opozitare se me deklaratat e tyre duan të krijojnë përshtypjen se veriu është i pamenaxhueshëm apo se shteti nuk është eksperiment.

Në fakt, që veriu është i pamenaxhueshëm ka menduar Kusari – Lila kur deklarohej kundër idesë që serbëve në veri t’iu dërgoheshin faturat e rrymës që shpenzonin. Me qëndrimin e saj, ajo po favorizonte paligjshmërinë edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Mbetet të shihet se cili do të jetë ndryshimi i radhës për çështje të njëjta nga Kusari – Lila, e cila nuk do ta ketë aspak problem që t’i shërbejë politikës ditore, ashtu siç ka bërë gjithmonë. /Demokracia.com/