Takimi Kurti-Vuçiq| Analistët: Vetëm sanksionet mund ta bindin Vuçiqin

Të hënën e 27 shkurtit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të kenë takimin e radhës në Bruksel në kuadër të dialogut. Aty diskutimi pritet të bëhet rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Analistët politikë thanë se se vetëm sanksionet mund ta bindin Vuçiqin që ta pranojë planin e njohur si franko-gjerman.

Analisti politik, Fidan Ukaj për KosovaPress u shpreh skeptik në lidhje me takimin e javës së ardhshme mes Kurtit me Vuçiqit, derisa tha se nuk do të ketë përparim nga takimi.

Sipas tij, pala serbe është e barrikaduar në kushtin e saj për formimin e Asociacionit.

“Unë nuk pres se do të ketë përparim nga takimi i nivelit të lartë që pritet të mbahet me 27 shkurt, për arsyeje se pala serbe është barrikaduar në kushtin e saj në formimin e Asociacionit dhe shkuarja e Vuçiqit në takim është më shumë për t’i treguar Brukselit se jam i gatshëm të jem në bisedime… Të gjithë shpresën që mund ta ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e shoh tek presioni i madh që mund të kenë palët, sidomos ajo serbe nga SHBA-të dhe BE, edhe pse nuk kemi pa asgjë nga ai draft, flitet se nëse njëra nga palët që nuk do e pranojë këtë plan do të këtë sanksione dhe vetëm këto sanksione mendoj se mund ta bindin Vuçiqin që ta pranojë këtë plan dhe rajoni të vazhdojë tutje në integrim, në mekanizma evropian”, u shpreh Ukaj.

Ndërsa, sa i përket planit franko-gjerman, Ukaj potencoi se është bazë e mirë për të vazhduar tutje dy palët për t’u integruar në institucionet e BE-së.

“Është një bazë e mirë plani franko-gjerman për të vazhduar tutje të dyja shtetet, si Serbia dhe Kosova për t’u integruar me institucionet e BE-së…Ky plan besoj se nëse nuk do të ketë një trysni të madhe nga SHBA-të dhe BE, nuk besoj se do të shkojë tutje dhe do të ketë një normalizim të marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Ukaj.

Ndërkaq, analisti Arbnor Sadiku u shpreh më optimist në lidhje me takimin Kurti-Vuçiq, që do të zhvillohet në Bruksel.

Ai për KosovaPress deklaroi se Vuçiq nuk është në një situatë që mund të jetë jobashkëpunues për faktin se Serbia e ka situatën para vetes me opsionin “merre ose leje”.

Sipas tij, në rast se nuk e pranon ofertën, Serbia do të ketë sanksione me tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Vuçiq nuk është në një situatë ku mund të jetë jobashkëpunues për faktin se dihet se Serbia e ka situatën para vetës me opsionin ‘merre ose leje’, në rast se nuk e pranon ofertën, Serbia do të ketë sanksione me tërheqjen e investitorëve të huaj. Dihet që gati mbi 80 mijë persona janë të punësuar në Serbi vetëm nga firma gjermane që punojnë atje, pra tërheqja e investimeve të huaja në Serbi nga BE do të ishte një goditje e madhe për ekonominë serbe. Dhe presidenti Vuçiq nuk është i gatshëm të bëjë lojëra me fuqitë e mëdha, por sigurisht do të kërkojë garanci të forta me shkrim që në rast se e pranon këtë planin, Kosova do të jetë e gatshme ta themelojë Asociacion për komunat me shumicë serbe”, tha Sadiku.

Ndërsa, sa i përket planit franko-gjerman, analisti Sadiku theksoi se është i mirë, pasi siç tha ai, Kosova nuk mund të qëndrojë në vendnumëro dhe se status quo-ja është një situatë, e cila vazhdon ende ta dëmtojë Kosovën.

“Është i mirë për vet faktin se Kosova nuk mund të qëndrojë në vendnumëro, status quo-ja është një situatë, e cila e ka dëmtuar Kosovën dhe e dëmton dhe gjitha punët e qeverisë kanë shkuar duke u merr me dialog duke mos i kushtuar rendësi zhvillimit ekonomik”, shtoi Sadiku.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.BE-ja tha se në takimin e 27 shkurtit, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.