Tahiri thotë se PDK e LDK ia dijnë vlerën marrëveshjes me njohje reciproke me Serbinë

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit “nuk ia dinë vlerën marrëveshjes me njohje reciproke me Serbinë sepse nuk ka ekzistuar në kohën e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës”.

Ndërkaq, sipas saj, vlerën marrëveshjes reciproke me Serbinë ia dijnë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke shtuar se ato janë pasardhëse UÇK-së dhe LDK-së.

”PDK dhe LDK ia dijnë vlerën thelbësore te marrëveshjes me njohje reciproke sepse janë trashëgimtare te UÇK dhe LDK qe janë realizuesit e pavarësisë së Kosovës, ndërsa VV dhe as Kurti nuk ia dinë vlerën sepse nuk kanë ekzistuar në kohën e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës“, ka shkruar Tahiri në Facebook, të dielën.

Më 18 mars në Ohër do të zhvillohet takimi i radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Josep Borrell, shef i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka deklaruar më 27 shkurt se ”Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që të mos flasin më për planin franko – gjerman“, duke lënë të nënkuptohet se marrëveshja mund të nënshkruhet më 18 mars.