Tahiri thotë se Grupi punues i Ligjit për Paga do të shpaloset posa të publikohet aktgjykimi i Kushtetueses

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se grupi punues për Ligjin e Pagave do të bëhet publik menjëherë pasi që të publikohet aktgjykimi i Kushtetueses.

“Ne nuk kemi aktgjykim të prerë ende prej Gjykatës Kushtetuesve dhe kemi vetëm një njoftim prej saj. Ne kemi bërë analizën që mund ta bëjmë në kuadër të këtij njoftimi. Çka del si konkluzion në bazë të njoftimit që kemi nga Kushtetuesja? E para, sapo ta marrim aktgjykimin, po atë ditë do ta bëjmë publik grupin punues që do të merret dhe do ta trajtojë atë temë. Ajo që kemi parë nga ky njoftim është kjo: Çkado që nuk trajtohet si kontestim nga Kushtetuesja, do të mbetet e tillë; aty ku ka rekomandime, menjëherë do të nisim punën ta bëjmë; nëse ka rekomandim apo sugjerim të prerë që diçka të hiqet, ne do ta heqim pasi që s’ka instancë më të lartë nga Kushtetuesja”, ka thënë Tahiri në konferencë shtypi, të hënën.

Ai i është referuar zotimit të tij, të dhënë javën e kaluar.

“Të enjten kam bërë zotim publik që të hënën do të filloj punën rreth Ligjit të Paga. Sapo përfundova një takim me katër shtyllat kryesore të shtetit sa i përket Ligjit të Pagave dhe ligjeve për reforma të administratës publike”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se takime gjatë javës së kaluar ka pasur edhe me përfaqësues të sindikatave, duke i numëruar ata.

Gjykata Kushtetuese më 30 qershor e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas dy pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përpuethshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.

Tahiri ka përmendur pikën 5 njoftimit të Kushtetueses që flet për parashikueshmërinë, apo ruajtjen e pagës, që ka thënë se është sfiduar në njoftim.

“Qeveria e Kosovës kur e ka dërguar ligjin në Kuvend, e kishte paraparë parashikueshmërinë, apo ruajtjen e pagës. Në nenin 27 e kemi caktuar saktë se sa ruhet paga”, ka deklaruar ai.