Tahiri: Po të dëgjoheshin zërat kundër Rambujes, Serbia s’do të bombardohej

Ish-koordinatorja për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Edita Tahiri ka kujtuar 23 vjetorin e Konferencës së Ramubjesë, duke thënë se sikur ti dëgjoheshin  zërat kundër kësaj marrëveshje, Serbia do të mbetej e pa bombarduar dhe Lufta dhe tragjedia do vazhdonte në Kosovë.

Tahiri në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se kjo konferencë solli paqen, lirin dhe pavarësinë, si dhe ndali gjenocidin serb ndaj Kosovës.

“23 vjet nga Konferenca e Rambujesë. Kjo Konferencë solli rezultate historike: solli paqen dhe lirinë dhe pavarësinë, ndali gjenocidin serb ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar në vitin 1999.  falë intervenimit ushtarak amerikan dhe te NATO-së kunder   Serbisë, që u bë e mundur dhe falë vendimit tonë si Delegacion i Republikës për ta pranuar Marrëveshjen e Rambujesë”, ka shkruar Tahiri.

Ajo tha më tej se marrja e vendimeve të drejta në kohë të duhura mund të ndryshojnë historinë e një kombi, prandaj vendimi që është marrë në Rambuje na bëri një komb i lirë.

“Më kujtohen qartë se ka pasur zëra që kanë qenë kundër Marrëveshjes së Rambujesë, sikur ti dëgjonim zërat e tillë, Serbia do të mbetej e pa bombarduar dhe Lufta dhe tragjedia do vazhdonte në Kosove.  Marrja e vendimeve të drejta në kohë të duhura mund të ndryshojnë historinë e një kombi, prandaj vendimi që morëm në Rambuje na bëri një komb i lirë, pas shtypjesh ndër shekuj…..çdo herë ndihem krenare që isha pjesë e këtyre ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare ku përcaktuam fatin e lirisë të kombit tonë – një kombi trim, guximtar, qëndrestar, vetëfijjues pa pyetur për çmimin e lirisë, në asnjë çast”, ka shkruar ajo më tej.

Kujtojmë se 23 vite më parë, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.