Në moshën 57 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari serb Bojan Tonçiq.

Tonçiq do të mbahet mend si një gazetar i pakompromis, i cili me shkrimet e tij e ka kundërshtuar faktin që kriminelët e luftës të marrin pozita publike, shkruan Gazeta Infokus.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, Tonçiq e kishte kundërshtuar hapur regjimin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

Gazetari kosovar, i cili ka shumë vite që punon në Beograd, Idro Seferi, tregon se Tonçiq shumë herë e pësoi si shkak i guximit të tij.

“Bojani ka qenë këmbëngulës që të dëshmohet lidhja e krimeve me shtetin. Më ka bërë përshtypje kujdesi dhe angazhimi i madh i tij për temën e krimeve të luftës. Bojani ka shkruajtur për të gjitha rastet e mëdha, ka pasur ndjeshmëri për këto tema dhe shpesh ka përfundu edhe vet në gjykatë si i akuzuar nga personat për të cilët ka shkruajtur”, ka thënë Seferi.

Ai ka kujtuar se me Tonçiq për herë të parë u takua në vitin 2006, kur asokohe shkoi në Beograd për të raportuar për masakrën e Suharekës.

“Në atë kohë krimet e luftës në Kosovë kanë zë pak vend në mediat serbe. Bojani ka qenë ndër ata që ka shkruajtur për krimet e luftës në gazetën Danas dhe në mediat tjera në Serbi. E kujtoj që në atë kohë është afruar me ne dhe na ka ofruar një lloj ndihme dhe mikpritje si kolegë, në mënyrë që të mos ndjejmë frikë”, kujton Idro Seferi.

Mbase, përshkrimin më të mirë për gjithë karrierën e Tonçiq, e përmblodhi një paragraf i portalit autonomija.info.

“Ai shkoi në një botë larg varrezave masive, larg krimeve të luftës, padrejtësive dhe gënjeshtrave, për të cilat ka shkruar për një kohë të gjatë, me këmbëngulje dhe guxim”, shkruhet në tekstin njoftues për vdekjen e Tonçiq.