Tahiri për “avullimin” e 2.1 milionëshit: Në secilën parti të Kosovës gjen njerëz që janë të afërt me krimin

“Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit është tema më e “nxehtë” ditëve të fundit, ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, i ftuar në “Click” ka folur rreth këtij rasti.

Tahiri është pyetur nëse ky sulm iu bë qëllimisht Qeverisë Hoti, por ai e mohoi një gjë të tillë, teksa shtoi se në secilën parti të Kosovës gjen njerëz të cilët janë të afërt me krimin.

Në secilën parti të Kosovës, në secilën parti të botës gjen njerëz të cilët janë të afërt me krimin, i shfrytëzojnë partitë apo fotografitë me liderë për interesa meskine. Ky sulm nuk është i lidhur me parti”.

Ai tha se ky rast ka qenë një goditje e madhe për sistemin e Qeverisë, teksa ka shtuar se ishte një krim mirë i organizuar.

Tahiri tregoi se të nesërmen e ka takuar ministren, Hykmete Bajramin, e cila e kishte menduar dorëheqjen.

Të them të drejtën kjo ka qenë një goditje e madhe për sistemin e Qeverisë. Është një krim mirë i organizuar, kisha me thënë. Ajo që unë mund të them është se të nesërmen kam qenë të ministrja Bajrami, e cila e ka përjetu shumë rëndë, për shkak se ka ndodh në ministrinë që ajo udhëheq. Dhe ka pasë ide, në kokën e saj gjithmonë është sjellë edhe puna e dorëheqjes. Mirëpo njeriu dorëheqet nga një funksion publik në qoftëse me të vërtetë ka diçka me atë problem”.

Thesari i Kosovës që është pranë Ministrisë së Financave bën transfere financiare prej 5 mijë në ditë deri në 20 mijë e 30 mijë në ditë. Dhe ligji e ndalon ministren apo secilin zyrtar publik që të ketë qasje dhe të kyqet në këtë pjesë për shkak se është mirë e mbrojtur. Mund të them së në disa rrethana është e mbrojtur gati si AKI-ja. Është e mbrojtur nga interferenca politike por jo nga siguria”.

Në bazë të raporteve që ka marrë nga ministria, Tahiri thotë se sheh një skemë të sofistikuar kriminale.