Tahiri: Nuk mund të lejojmë që qytetarët tanë të kthehen në kërcënim për perëndimin

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në konferencë për shtyp ka folur për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës, ku janë pritur familjarët e xhihadistëve që kishin shkuar në Siri.

Tahiri u shprehë se gratë dhe fëmijët meritojnë jetë të qetë në Kosovë.

“Kanë qenë 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës. Republika e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme për të ndaluar shkuarjen e qytetarëve në vatrat e luftës e tani jemi duke u marrë me kthimin e tyre. Vendimi për kthimin e tyre është ndërmarrë në bashkëpunim të plotë ndër institucional. Kemi marrë masa për të zbatuar parimet mbi të cilat funksionon rendi. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë e këta fëmijë e kanë vendin në shkolla. Ne do të marrim përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet.”, tha Ministri i Drejtësisë.

Tutje, ai tregoi se nuk kanë arritur t’i kthejnë të gjithë por se nuk do të ndalen deri sa ta arrijnë qëllimin.

“Nuk kemi arrit që ti kthejmë të gjithë. Për këtë iniciativë ne kemi punuar nga tetori. Ne nuk do të ndalemi që ti kthejmë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nëse kanë kryer vepra terroriste të përballen me drejtësinë. Nuk mund të lejojmë që qytetarët tanë të kthehen në kërcënim për perëndimin.”, tha Tahiri.