Skitari kosovar

Tahiri me normë olimpike edhe në sllallom, i mjafton vendi i 40-të

Kosova tashmë i ka dy norma olimpike për disiplinën e sllallomit në skijimin alpin, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.

Të hënën normën në sllallom e fitoi Albin Tahiri, skitari më i mirë i Kosovës. Për normë i mjaftoi vendi i 40-të në një garë ndërkombëtare në Rogla të Sllovenisë. Ai, pas dy lëshimeve kishte kohë prej 1:36.17 minuta. I takuan 123.9 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë e që ishin të mjaftueshme për të kompletuar rezultatet e nevojshme për normë olimpike.

Në garën e së hënës në Rogla morën pjesë 79 garues. Prej tyre, 35 nuk e përfunduan njërën nga dy lëshimet. Pra, Tahiri ka lënë vetëm katër garues prapa vetes.

Garën në Rogla e fitoi austriaku Lukas Gasser që kishte kohë prej 1:25.62 minuta. I dyti ishte britaniku Robert Poth, e i treti slloveni Zak Zirovnik.

Tahiri ishte për 10.55 sekonda më i ngadaltë se fituesi. Ai jeton në Slloveni ku edhe zhvillon karrierën. 32-vjeçari javën e kaluar kishte fituar normën edhe në sllallom të madh. Ndërkohë, në sllallom normë ka edhe Arbi Pupovci. Por, vetëm njëri prej dy garuesve të Kosovës mund të paraqitet në sllallom në Lojërat Olimpike Dimërore që vitin e ardhshëm mbahen në Pekin. Rezultatet më të mira deri më tani i ka Tahiri.

“Pas sllallomit të madh, me rezultatin e sotëm kam kompletuar kriteret olimpike edhe në sllallom. Prej tani fokusi im do të jetë në disiplinat e shpejta si Super G, kombinim alpin dhe lëshim”, ka theksuar Tahiri për faqen e KOK-ut.

Norma olimpike në sportet dimërore fitohet shumë më lehtë se në sportet verore. Në sportet që janë në programin olimpik veror, duhen vende të para në gara të mëdha për normë olimpike. Ndërkohë në skijim, mjafton edhe një vend i 40-të, në një garë mesatare, si ajo e së hënës, për të siguruar normën.

Rezultatet e kaluara të Tahirit dhe ato aktuale, nuk e përfshijnë atë në garë për ndonjë sukses të madh ndërkombëtar. Ai ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat e kaluara Olimpike Dimërore, të mbajtura në Pyeongchang të Koresë së Jugut në vitin 2018. Ishte paraqitur në katër disiplina të ndryshme dhe rezultatin më të mirë e kishte në kombinim alpin ku u rendit i 37-ti. Kishte edhe një vend të 39-të, një vend të 47-të dhe një të 56-të.

Tahiri e Pupovci së fundi kanë garuar edhe në Botëror. Rezultate më të mira i kishte Erjon Tola i Shqipërisë.