Tahiri i drejtohet Konjufcës: Keni përgjegjësi, s’mund të hymë në javën e pestë që nxënësit s’shkojnë në shkolla

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se duhet të arrihet marrëveshje me SBASHK-un për t’i dhënë fund grevës që nxënësit të kthehen në shkolla dhe të mos hyhet në javën e pestë. Sipas tij, Qeveria Kurti duhet të bëjë çfarëdo marrëveshje vetëm të dilet nga bllokada.

Ai tha se kriza me grevistë nuk është vetëm në sektorin e arsimit, por edhe në administratë dhe komuna.

“Me pasë qenë anëtar i Qeverisë isha shqetësuar tepër sepse planin tim si Qeveri s’do të kisha mundur ta zbatoja kurrë kur gjysma e administratës janë në grevë dhe kur shumica e komunave janë në grevë. Me kënd punon ti? Këta janë njerëzit – administrata shtetërore”, tha Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit.

Ai pati edhe një thirrje që ia drejtoi kryeparlamentarit Konjufca.

“Kryetar i Kuvendit, mendoj që keni përgjegjësi të madhe edhe ju. S’mund të qëndrojmë sikur s’po ndodh asgjë. S’është mirë me hy në javën e pestë e mos të shkojnë në shkollë 320 mijë nxënës”.

Po ashtu, Tahiri tha se nuk i arsyetohet deklarata kryeministrit Kurti se greva iu shpall derisa ai shkoi në Bruksel për dialog me presidentin e Serbisë.

“Është e papranueshme me dalë e me thënë, unë shkojsha në Bruksel për të dialoguar me Vuçiqin, këta ma shpallin grevën. Po s’je t’u shku me nalë luftën, as armëpushim me shpallë. U krye para 23 vjetëve – u shpalk. Sot po e përkujtojmë përvjetorin e 24-të të heronjve të asaj lufte”.

Tahiri tha se ka përfunduar ajo kohë dhe se problemi i Kosovës është arsimi.