Tahiri: “Drejtësia 2020” po i jep fund praktikës së abuzimit me pozita të shumëfishta

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook për ndryshimet legjislative që do të pa mundësojnë individëve të jenë pjesë e disa institucioneve në të njëjtën kohë.

Sipas Tahiri, kjo do të arrihet përmes ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit.

“Në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020”, sot po marrim një hap të rëndësishëm me qëllim të zbatimit efikas të ligjit të ri për parandalimin e konfliktit të interesit. E kam për detyrë t’i njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës se përmes këtij ligji do të marrë fund praktika e vjetër e abuzimit me detyrën dhe autoritetin publik, ajo e pozitave të shumfishta dhe e përfitimit të shumfishtë nga ushtrimi i detyrave nëpër komisione, borde dhe ndërrmarrje publike” ka shkruar Tahiri.

Ky ligj, sipas të parit të drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, do të mundësojë kursime të miliona eurove të buxhetit të shtetit. Për më shumë, ministri konsideron se me këtë hap, po shkëputet logjika se institucionet janë të përqendruara në duar të një elite vetëgjeneruese, dhe po i kthehet dinjiteti institucioneve, transmeton lajmi.net.

“Përmes këtyre masave buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursejmë miliona euro që deri më tani kanë shkuar në adresë të zyrtarëve që kompenzoheshin për pjesëmarrjen në borde dhe komisione të ndryshme. Ligji i ri e ka definuar shumë qartë se asnjë zyrtar nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues dhe nuk mund të kompenzohet shtesë për këtë veprimtari. Konsideroj se me këtë hap, po shkëpusim përfundimisht logjikën se institucionet tona janë të përqendruara në duar të një elite vetëgjeneruese, dhe po ia kthejmë institucioneve dinjitetin e tyre të mirëfilltë. Jam i bindur se me këtë ligj, kemi vendosur një balanc jashtëzakonisht të nevojshëm dhe të domosdoshëm, që i japë fund abuzimit dhe krijon mundësi të reja, si dhe që restauron integritetin në sferën publike. Shpresoj se këtë hap do ta mirëpresin të gjithë, sepse kjo tashmë është e pa alternativë dhe do të zbatohet gjerë në fund, pamarrë parasysh se ndaj cilit person apo subjekt zbatohet. Institucionet tona do të jenë të lira një herë e përgjithmonë nga konflikti i interesit” ka përfunduar Tahiri.