Tahiri: Delegacioni i Kosovës di pak për agjendën në Shtëpinë e Bardhë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri i ftuar në emisionin Frontal në T7 ka folur për takimin Kosovë-Serbi në Shtëpi të Bardhë.

Ai ka deklaruar se delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti e ka të qartë atë se çka përfaqëson, mirëpo, thotë se dihet shumë pak për agjendën e takimeve.

“Në aspektin e asaj çka përfaqësojnë e dinë me saktësi, në aspektin e agjendës dimë pak a shumë se temat janë politike dhe ekonomike, diçka më saktësi s’ka”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kanë pasur edhe një takim me ministrat e AAK’së, ku edhe kanë përgatitur dokumentacion që do të shpaloset në Uashington.

“Nëse e kishte Ministrja e Punëve të Jashtme në takimin që e pata unë e diskutuam shkuam në të gjithë dokumentacionin ajo e kishte përgatitë edhe në kohën e Edita Tahirit e Avni Arifit, një dokument i marrëveshjeve që nuk janë zbatu. Një dokument që e pranon vendimin që e ka bo Gjykata për pavarësinë e Kosovës. Në agjendë janë të gjitha provizionet nëse e studiojnë Ahtisarin seriozisht”, thotë ai.

Sipas Tahirit opozita është dashur që të shkonte në dialog duke mos e refuzuar Hotin.

“Kosova kishte me qenë shumë ma e fortë me Vetëvendosjen dhe PDK’në, nëse ka ndonjë agjendë shumë ma të saktë, involvimi i tyre është shumë i rëndësishme, kryeministri ka dërgu letra, unë mendoj që nuk humbin asgjë më shumë në votë vetëm e forcojnë Kosovën nëse marrin pjesë”, ka shtuar ai.