Tahir Lushtaku jep parashikimin e tij për derbin Drita – Gjilani

Kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në përfundim të këtij stinori në Superligën e Kosovës në futboll.

Ndërsa ndeshja kryesore e javës së ardhshme do të luhet në qytetin e Gjilanit, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, shkruan KosovaPress.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Tahir Lushtaku për KosovaPress ka folur rreth kësaj ndeshje, duke e cilësuar si një mëkat të madh që kjo ndeshje do të luhet pa tifozë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Dihet që derbi gjilanas është një derbi i zjarrtë, por kjo ndeshje zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak të masave ndaj COVID-19 dhe është një mëkat që një derbi si ky të luhet pa tifoz, por si do që të jetë derbi mbetet derbi dhe pres që të luhet një futboll i bukur”, tha fillimisht Lushtaku.

Tutje, Lushtaku potencoi se në këtë ndeshje të dyja skuadrat do të futen me qëllim që të arrijnë një rezultat pozitiv.

“Për këtë ndeshje mendoj që të dyja ekipet do të hyjnë me të vetmin qëllim që të arrihet rezultat pozitiv dhe do të luhet me shumë kujdes ku të dyja skuadrat janë në një formë të mirë dhe ndoshta në këtë ndeshje do të vendos një detaj, por edhe ekipi që gabonn më pak”, shtoi ai.

Sipas Lushtakut, një përparësi të madhe në këtë ndeshje ka skuadra e Ardian Nuhiut, skuadër kjo e cila nëse fiton këtë ndeshje do të rristet gjasat për tu shpalluar kampion.

“Përparsi i dha Dritës sepse dihet që nëse fiton këtë ndeshje atëherë gjasat i ka shumë më të mëdhaja për tu shpalluar kampion, por edhe Gjilani është aty dhe do të futet me të gjitha forcat që ta fitojë këtë ndeshjes”, tha ai.

Pas gabimeve të shumta të gjyqtarëve kohëve të fundit, Lushtaku shpreson që kjo ndeshje të mos ketë ndonjë të tillë, dhe skuadrat të jenë të kënaqura pas përfundimit të ndeshjes.

“Shpresoj që të luhet një ndeshjet fer dhe korrekte në të gjitha aspektet dhe të përfundoi me rezultat real. Gjithashtu shpresoj që të mos ketë ndonjë problem pas ndeshjes qzsh jemi mësuar të kemi gabime nga ana e gjyqtarëve dhe njëkohësisht edhe shumë ankesa nga klubet”,përfundoi Lushtaku.

Kujtojmë që Drita prinë në tabelë me 65 pikë, katër më shumë se Gjilani, skuadër kjo e cila renditet e treta me 61 pikë.