Sylë Tahirsylaj flet për ndryshimet e motit, tregon se deri kur do të ketë reshje të borës në Kosovë

Java e dytë e janarit po vazhdon me reshje të borës dhe temperatura të ulëta në Kosovë. Kjo gjendje do të vazhdojë edhe për disa javë. Eksperti dhe profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, për Gazetën Express ka treguar se deri kur vendi do të jetë i përfshirë nga reshjet e borës, si dhe ka folur për temperaturat minimale në Kosovë.

Eksperti dhe profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka deklaruar se reshjet e borës do të vazhdojnë edhe disa ditë në vend. Për Express, Tahirsylaj thotë se në bazë të matjeve të fundit që ai i ka bërë thotë se temperaturat minimale në vend do të luhaten prej minus 7 gradë celsius deri në minus 10 gradë në viset malore.

“Vendi ynë vazhdon të jetë nën ndikimin e masave ajrore me origjinë nga pjesa verilindore e rajonit. Këto masa kanë një shkallë të lartë të lagështisë. Si rrjedhojë moti do të jetë me reshje bore në shkallë vendi dhe temperatura relativisht të ulëta. Temperatura minimale do të luhatet nga -7 në ultësira deri në -10 në vendet kodrinore malore. Do të ketë erë nga ana e veriut dhe verilindjes me shpejtësi 1 deri në 5 metër për sekondë”, ka thënë Tahirsylaj.

Tutje ai deklaron se kjo gjendje sinoptike është në përputhshmëri të plotë me kushtet klimatike të territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, kjo gjendje e motit do të vazhdojë edhe për disa ditë në Kosovë.