Ish pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, kanë protestuar sot tek Ministria e Punës ku janë përballur edhe me Ministrin e Punës, Skënder Reçicën.
Arsyeja e protestës ka qenë e paqartë në momentet e para.
Ballkani.info ka kontaktuar me drejtorin e Zyrës për trashëgimi të TMK-së pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Syla, për të kuptuar kërkesat e ish pjesëtarëve të TMK-së.
“Protesta ka filluar sot fillimisht përballë Zyres për Trashëgimi të TMK-së dhe ka vazhduar tek objekti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Tek Ministria përmes protestës është kërkuar takim me Ministrin Reçica ku kërkesat kanë qenë që ish- pjesëtarëve të TMK-së mos t’iu ndalen beneficionet që iu takojnë me ligj”, ka thënë Syla për Ballkani.info.

Ministri Reçica është takuar me protestuesit ku edhe ka bashkëbiseduar me ta rreth kërkesave të tyre.
“Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se janë bërë shkelje ligjore në këto pensione, andaj edhe kjo është arsyeja që janë ndalur për një kohë deri sa të krijohet një komision”, është shprehur Ministri Reçica.
Zyrtarët e Ministrisë kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë protestë, për të cilën Drejtori i Zyrës për Trashëgimi të TMK-së ka thënë se ishte protest e rastit nga frustrimi.
“Protestuesit po e shprehin frustrimin e tyre përmes kësaj proteste, duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë”, ka përfunduar Syla. /Ballkani.info/







