Sveçla tha se Radojiçiq do të arrestohet, Lista Serbe kritikon ministrin dhe Policinë

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla pretendoi se Milan Radojiçiq do të arrestohet.

“Radoiçiq dikur lëvizte i lirë dhe kishte pushtet, tani po humb pushtet dhe i duhet të futet ilegalisht në Kosovë. Radojiçiqi do t’i rrallojë vizitat në Kosovë sepse do t’i vij momenti kur do të zihet nga Policia e Kosovës dhe do të përgjigjet për të gjitha veprat për të cilat dyshohet”, ka thënë Sveçla.

Kjo ka nxitur reagimin e Listës Serbe. Këta të fundit kanë kritikuar edhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Komunikata e Listës Serbe:

Kërcënimet nga ministri i Policisë, Xhelal Sveçla, që i drejton nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, janë pasqyrim i dobësisë dhe pafuqisë që Sveçla ndien në lidhje me respektin dhe mbështetjen që serbët në veri ia japin z. Radoiçiq në luftën për të drejtat e popullit serb.

Të gjithë në Prishtinë, përfshirë edhe Xhelal Sveçla, e dinë shumë mirë se nënkryetari ynë është vetëm këtu, me njerëzit e tij në Kosovë e M., në tokën e tij, dhe Sveçla dhe forcat e tij speciale janë vetëm mysafirë të paftuar dhe të padëshiruar, të cilët janë vetëm trima ndaj qytetarëve të paarmatosur, grave dhe fëmijëve.

Duam t’i kujtojmë z. Sveçla se ai vjen në veri i fshehur në xhipa të blinduar të lyer, pas dhjetë kontrolleve e analizave, me ndalim minimal, sepse fjalët e tij janë të mëdha, por veprat dhe zemra e tij janë të vogla dhe sa herë vjen ka frikë nga takimi me Z. Radoiçiq, që duket qartë se i është bërë obsesion e makth. Për fund, ne duam t’i themi ministrit Sveçla, se është e qartë për të gjithë serbët, se qëllimi i juaj është nënshtrimi i veriut dhe dëbimi i serbëve, e jo stabilizimi i situatës.

Por, duhet ta keni të qartë se serbët nuk do të pajtohen kurrë me këtë, ju nuk do ta dëboni dhe nënshtroni popullit tonë.