Sulmuesi spanjoll, Suso e ka shprehur krenarinë e tij me spekulimet që e lidhin atë me një kalim te Real Madridi, por ka insistuar se është i lumtur te Milani.

Suso ka shënuar 3 gola në 5 ndeshjet e fundit të Milanit duke iu ndihmuar “Rosonerëve” të synonjnë zonën Champions.

24 vjeçari më herët ka qenë pjesë e Almerias në La Liga, dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në vendlindje.

“Kur skuadrat më të mira interesohen për ju sigurisht se ju bën krenar ky fakt, kush nuk do të ishte i lumtur. Të luash në shtëpi është gjithmonë e bukur, tani jam në një vend ku kultura është shumë e ngjashme me Spanjën dhe për momentin jam i lumtur aty. Ndjehem i rëndësishëm në skuadër dhe kuptohemi mirë me trajnerin”, tha Suso.

E ardhmja e Gattusos në stolin e Milanit është vënë vazhdimisht në dyshim, por Suso i ka dhënë mbështetjen e tij 40 vjeçarit duke thënë se është njeriu i duhur për 18 herë kampionët e Italisë.