Surroi për Qeverinë Kurti: Pritjet janë të mëdha sa që s’do të pritet 100-ditëshi për t’ia tërhequr vërejtjet

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka thënë se populli i Kosovës ka aq shumë pritje në Qeverinë Kurti 2 saqë nuk do ta presë 100-ditëshin për t’ia tërhequr vërejtjet.

Surroi ka deklaruar se ilustrimi më i mirë për këtë është shkuarja e zyrtarëre qeveritarë në Shqipëri për fushatë zgjedhore në fundjavë.

“Krahasuar me Qeverinë Kurti 1, ajo u ballafaqua me një sfidë të panjohur dhe ndërmorën masa serioze, rigoroze, të konsultuara me ndërkombëtarët, ishte veprim i matur dhe i mençur. Ajo që ishte indikative dhe që e ilustron në pjesë të madhe një iluzion të ri kësaj force politike, Vetëvendosjes dhe popullatës, është se pritshmëritë janë aq të mëdha, saqë nuk do t’i pritet 100-ditëshi për t’ia tërhequr vërejtjen. Ilustrimi ishte i thjeshtë me fushatën e Vetëvendosjes në Shqipëri me ndërmarrjen e masave anti-COVID këtu. Në masë të madhe ishte deklarim i përgjithshëm, se jo vetëm që ky pushtet nuk ka kohë të merret me ato rregullime, por është në një shtet tjetër”, u shpreh ai në KTV.

Surroi tregoi se edhe pro kosovarët që janë në Shqipëri, nuk e kanë parë me sy të mirë vizitën e VV-së atje.

“Nuk i kanë dhënë shumë rëndësi, fillimisht e kanë shikuar me ndrojtje më duket. Edhe për njerëzit që janë pro kosovarë, nuk shihet me sy të mirë domethënë është një energji që duhej të shpenzohej pak më mirë”, vijoi Surroi.

Sipas Surroit, përfshirja e Vetëvendosjes në fushatën zgjedhore në Shqipëri është gabim, duke treguar platformën që partitë politike e kishin arritur në vitet 90’ për të mos krijuar struktura politike që kalojnë kufijtë shtetëror.

“Unë kam qenë një prej hartuesve të platformës politike të viteve ’90. Patëm marrë një vendim që nuk do të krijojmë struktura politike që kalojnë kufijtë shtetërorë. Nuk do të bëjmë veprime të njëjtë si Kroacia me Malin e Zi dhe Bosnjën. Kishte tendenca për ta shtyrë LDK-në që të ketë një lloj patronati ndaj PDK-së. E gjithë udhëheqësia e LDK-së ishte kundër kësaj ide, ishim kundër idesë të kishim parti klienteliste edhe në Maqedoni, por ramë dakord që lëvizja kryesore ishte në Kosovë, kështu që në masë të madhe iu kemi përmbajt atij vendimi. Kemi bërë mirë, mendoj unë. Mendoj se duhet të kemi një marrëveshje të tillë edhe sot. Parimi duhet ruajtur, që të mos ketë përzierje të tilla”, u shpreh publicisti i njohur kosovar.