Surroi: Kur më 2019 SHBA-ja dërgoi letër për prishje të raporteve, s’pati mocion mosbesimi ndaj Qeverisë

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, ka publikuar një letër të datës 11 shkurt, 2019, që Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ua kishin dërguar liderëve të Kosovës, gjegjësisht presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj dhe kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veseli.

Në atë letër, zyrtarët amerikanë shfaqnin shqetësimin e tyre pasi Kosova nuk po i përfillte vërejtjet e tyre për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.

Aty thuhej se përderisa ky vendim qëndron i palëkundur nga ana e Kosovës, SHBA-ja “nuk mund ta rikthejë marrëdhënien në nivelin e fuqishëm që ka qenë më parë”.

Surroi thotë se pas kësaj letre, qeveria e asaj kohe nuk u përball as me mocion mosbesimi e madje nuk pati atë kohë as pandemi.

“Pas kësaj letre nuk pasoi mocioni i mosbesimit për Qeverinë. Dhe nuk kishte pandemi të COVID-19”, shkroi Surroi në Facebook.

Ditë më parë, me inicim të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetët e Kuvendit, me 82 vota për, rrëzuan Qeverinë e Kosovës me mocion mosbesimi.

Deri te ky moment erdhi pasi kryeministri, tashmë në detyrë, Albin Kurti, shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, pasi ky i fundit deklaroi në një paraqitje televizive se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend si pasojë e pandemisë COVID-19.

E për këtë çështje, Kurti ishte kundër. Madje këtë e bëri të qartë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbledhje kjo e thirrur me kërkesë të presidentit Thaçi.

Pas kësaj gjendjeje, LDK-ja inicioi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, pjesë e së cilës ishte edhe vet në koalicion me LVV-në. Arsye tjetër e votës së mosbesimit ishte edhe cilësimi se Lëvizja Vetëvendosje i kishte prishur raportet e Kosovës me SHBA-në.