Publicisti Veton Surroi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me historianin dhe autorin Shkëlzen Gashi, duke e cilësuar ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë si tejkalim të pragut të lejueshëm në një shoqëri demokratike.

Sipas Surroit, Gashi ka bërë “gabime evidente” në librin dhe ekspozitën e tij të fundit në Prishtinë, të cilat kanë nxitur reagime të forta nga qytetarë, familjarë të viktimave të luftës dhe organizata si Fondi për të Drejtën Humanitare. Ai thekson se këto reagime janë të justifikuara dhe pjesë e një debati të shëndetshëm shoqëror.

Megjithatë, Surroi kritikon ashpër vendimin e Prokurorit të Shtetit për të nisur hetime ndaj Gashit, nën dyshimin për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” dhe “shtrembërim të së vërtetës së luftës çlirimtare”. Sipas tij, ky veprim përbën ndërhyrje të papërshtatshme të organeve të rendit në një fushë që duhet t’i takojë debatit publik, akademik dhe profesional.

“Liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë dhe standarde evropiane, dhe kufizimi i saj kërkon një prag të lartë justifikimi, që në këtë rast nuk është përmbushur”, thekson Surroi.

Ai nënvizon se gabimet e pretenduara të Gashit janë tashmë të dokumentuara dhe kundërshtuar nga studiues dhe institucione relevante, duke e bërë të panevojshme dhe të rrezikshme ndërhyrjen penale.

Sipas Surroit, përpjekja e institucioneve për të “mbrojtur të vërtetën historike” përmes hetimeve penale rrezikon të shndërrojë shtetin në arbitër të së vërtetës, një praktikë që, sipas tij, është e papranueshme në demokracitë evropiane dhe lidhet me modele jodemokratike.

Në përfundim, ai e cilëson këtë rast si një precedent shqetësues që mund të krijojë efekt frikësues ndaj debatit publik dhe të dëmtojë lirinë e shprehjes në Kosovë.

Postimi i plotë: