Publicisti

Surroi: Debati rreth ministrit të jashtëm të Shqipërisë po merr kahen e tifozërisë

Publicisti e shkrimtari Veton Surroi, ka komentuar diskutimet e fundit rreth emërimit të Gent Cakajt, ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë.

Surroi ka thënë se debati rreth ministrit të jashtëm të Shqipërisë po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri nuk ka debat.

“Ka ngritje zëri dhe ‘dëgjomë mua se nuk ta del mirë’ apo folklorizëm pro e kundër prejardhjes krahinore a moshës. Nëse hiqet mënjanë gjuha e stadiumit të futbollit, mbeten pyetje themelore: a duhet të vendoset një ministër i ri sepse duhet të ndryshojë politika e jashtme në mënyrë që të përputhet më afër me vizionin e kryeministrit?”, ka shkruar Surroi.

Tutje ka thënë “nëse ky është rasti, atëherë kryeministri duhet të japë në konsultime të gjera me grupacionin e tij politik dhe me Presidentin shpjegimin se çka duhet të ndryshojë në politikën e jashtme të Shqipërisë”.

“Këtu kryeministri mund të ndihmojë në sqarimin se a duhet të përkrahë Shqipëria apo jo ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq dhe të pranuar nga presidenti Thaçi?”, ka thënë Surroi. “Kjo është një pyetje që nuk i përket as vetëm kryeministrit e as vetëm grupacionit të tij politik, por ka nevojë për një koncensus më të gjerë, përfshirë edhe mendimin e opozitës, zërin e së cilës e ka obligim kushtetues ta dëgjojë Presidenti i vendit”, ka shtuar më tej ai.