Një deputete e Lëvizjes Vetëvendosje e paralajmëroi me mburrje një takim të kryeministrit Albin Kurti me zyrtarë të Departamentit të Shtetit amerikan, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Estoni. Çka ndodhi në atë takim? Shefi i Qeverisë veç një fjali e ka shkruar rreth të njëjtit.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i shtetit qëndroi për vizitë në Estoni. Në po të njëjtën ditë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se janë bërë 70 ditë prej kur vendi është nën saksione.

Një deklaratë e tillë, duket ta ketë irrituar deputeten e VV-së, Arbëreshë Kryeziu, e cila paralajmëroi një takim të Kurtit me zyrtarë të DASh-it.

Kështu, ajo e ndërlidhi takimin me masat, duke lënë të kuptohet se megjithatë, takimet po ndodhin.

Jam në Estoni bashkë me Driton Selmanajn, si përfaqësues të Forumit për Transparencë në Kuvend.

“Këtu është edhe Kryeministri Kurti i cili pas fjalimit të tij që pati duartrokitje të gjata, takoi Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, Presidentin e OGP, Sanjay Pradhan, pas drekës së shtruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Margus Tsahkna, do të ketë takim edhe me Departamentin e Shtetit Amerikan. Super sanksione koleg!” – shkroi ajo në një postim në Facebook.

Fjalia e Kurtit për këtë takim

Veç një fjali e ka shkruar Kurti në Facebook rreth këtij takimi. Ai veç tregoi se është takuar me zëvendës ndihmës sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.

“Punimet gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, i mbarova duke e takuar zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.” – shkroi ai.

Në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit ndërkaq, janë dhënë pak detaje rreth këtij takimi.

“Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.” – thuhet në njoftim.

Në komunikatë tutje, flitet për synimet e Qeverisë për transforimimin digjital, megjithatë, nuk citohet ndonjë deklaratë e zyrtares amerikane.

“Krahas saj, kryeministri Kurti gjithashtu veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.” – thuhet tutje.

Ndërkohë, në fund tregohet se nga kush është shoqëruar kryeministri Kurti në takim, por nuk jipen detaje të tjera.

Vlen të theksohet, se si pasojë e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian, shumë takime të nivelit të lartë më zyrtarë nga Qeveria e Kosovës janë anuluar.

Përpos ndëshkimeve politike, Kosova ka pësuar edhe masa financiare, ku disa grande, kredi, fonde, siç e ka konfirmuar edhe vetë kryeministri Albin Kurti, janë pezulluar.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për largimin e këtyre masave, duke thënë se vendi po “vuan” nga të njëjtat.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian nuk ka treguar se kur do të hiqen masat, derisa brenda javës së ardhshme, pritet që Kurti në Bruksel ta takojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.